Dy studentë ekselentë të Fakultetit të Mjeksisë, dy mjekë të ardhshëm janë shpërblyer me një mirënjohje publike nga Fakulteti I Mjekësisë.
Bëhet fjalë për studentët Nora Osmënaj dhe Enea Naska, të cilët, sipas postimit të vetë fakultetit të mjeksisë, kanë përfunduar shkëlqyeshëm studimet në përmbyllje të vitit akademik.
“Kemi kënaqësinë dhe krenarinë ti vecojmë këta dy ekselentë. Sepse pas këtij suksesi qëndrojnë vite studimi intensive, sakrifica, përgjegjshmëri dhe një përkushtim i vazhdueshëm ndaj mjeksisë” thuhet në deklaratën e fakultetit për dy studentët.
Ata kanë marrë Medaljen e Artë që sipas shkollës është simbol i punës dhe vlerësim i merituar për standartin e lartë akademik të dëshmuar prej tyre.
“Misioni i universitetit nuk është vetëm të përcjellë dije, por të formojë profesionistë të aftë, të përgjegjshëm dhe humanë, të gatshëm për ta vendosur dijen e tyre në shërbim të pacientit dhe të shoqërisë.
Të dashur Enea dhe Nora, sot ju përgëzojmë për rezultatet tuaja, por mbi të gjitha ju urojmë që ekselencën që dëshmuat në auditor ta ktheni nesër në ekselencë në ushtrimin e profesionit të mjekut.
Le të jetë kjo Medalje e Artë jo vetëm kurorëzimi i një etape të bukur, por edhe fillimi i një rrugëtimi profesional me arritje edhe më të mëdha” thuhet në deklaratën e Universitetit.
