Mobilizimi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë po intensifikohet në Kosovë. Motoristët e “Veteranëve të UÇK-së” udhëtuan nga Vërmica drejt Prishtinës.

Të dielën në orën 15:00 në Prishtinë është paralajmëruar një protestë e madhe. Thirrja është bërë nga grupi “Plisat”, i cili u ka bërë apel grupeve të mbështetësve që të lënë mënjanë rivalitetet dhe dallimet dhe të bashkohen rreth mbështetjes për UÇK-në dhe ish-krerët e saj.

Mobilizimi vjen pas protestave të njëpasnjëshme në Kosovë, të zhvilluara pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Protestat pritet të kulmojnë më 1 tetor me një tubim të madh në Prishtinë, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Organizatorët kanë njoftuar pjesëmarrjen e studentëve, profesorëve, veteranëve dhe qytetarëve, ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë.

Ndërkohë, nga Nju Jorku, të premten kryeministri Rama, komentoi vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë një takimi të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama kritikoi ashpër administratën e Joe Biden dhe SHBA-në, duke deklaruar se kanë “tradhtuar UÇK-në dhe Hashim Thaçin”.