Rusi- Serbi vijojnë bashkëpunimin, Vuçiç merr garanci për furnizimin me gaz, e informon Putin për dorëheqjen

Pas një bisede me homologun rus, Vladimir Putin Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehu bindjen se aneksi i marrëveshjes mes Moskës dhe Beogradit për furnizimin me gaz do të zgjatet, pasi pakti skadon së shpejti.
“Para së gjithash, aneksi i marrëveshjes për furnizimin me gaz skadon pas disa ditësh dhe jam i sigurt se që nga e hëna ai aneks do të zgjatet dhe se do të mund të vazhdojmë të kemi, do të thosha, çmim të mirë dhe të ulët të gazit”, tha Vuçiç.
Serbia, e cila varet nga gazi rus, nuk ka arritur marrëveshje për një kontratë afatgjatë, pasi ajo trevjeçare skadoi në verën e vitit 2025, ndaj tani anekset e marrëveshjes po zgjaten për periudha të shkurtra. Marrëveshja që skadon tani, u zgjat në qershor për tre muaj.
Sakaq Vuçiç tha se e njoftoi Putinin se të dielën do të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë.
“Në emër të Republikës së Serbisë dhe në emrin tim, e falënderova Federatën Ruse dhe presidentin Putin për bashkëpunimin gjatë 14 vjetëve të fundit”, tha Vuçiç.
Serbia, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, të vendosura pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës në vitin 2022.




