
Fluturimet në aeroportin e Katanias, në Siçili, janë pezulluar për shkak të hirit vullkanik të shkaktuar nga aktiviteti i vazhdueshëm i malit Etna. Kushtet e motit po e vështirësojnë më tej operimin e sigurt të aeroportit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, të gjitha mbërritjet në aeroport janë pezulluar deri të dielën në orën 13:00, ndërsa pasagjerëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për të mësuar nëse itineraret e tyre do të ndryshojnë.
Etna, vullkani më i lartë dhe njëkohësisht ndër më aktivët në Evropë, shkakton herë pas here ndërprerje të trafikut ajror në zonën e Katanias për shkak të hirit vullkanik. Situata të ngjashme janë regjistruar edhe gjatë muajve të verës.