Një konflikt i nisur në një lokal në Tiranë ka përfunduar me të shtëna, plagosje dhe arrestimin e një 20-vjeçari, ndërsa autori i dyshuar i të shtënave është shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli”, ndërsa policia thotë se ka mundur të zbardhë dinamikën brenda 24 orëve.
54-vjeçari qëlloi me armë
Sipas hetimeve, gjatë konfliktit në lokal, 54-vjeçari me inicialet S. P. dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar 33-vjeçarin Gj. K., duke e plagosur në këmbë.
Pas të shtënave, 54-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim për “Vrasje e mbetur në tentativë”, armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë dhe rendit publik.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë dhe municion luftarak.
Konflikti vijoi edhe me sende të forta
Hetimi zbuloi se në përleshje ishin përfshirë edhe persona të tjerë. Sipas policisë, 20-vjeçari S. T. dyshohet se është konfliktuar me disa persona duke përdorur sende të forta, ku mbeti i dëmtuar 18-vjeçari A. P.
S. T. u arrestua në flagrancë për plagosje të lehtë me dashje, moskallëzim krimi dhe prishje të qetësisë dhe rendit publik.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, po procedohen në gjendje të lirë. Ata dyshohet se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin gjatë konfliktit.
Në banesën e 49-vjeçarit policia gjeti dhe sekuestroi edhe disa fishekë.
33-vjeçari i plagosur, në kërkim nga Kosova
Pas verifikimeve të mëtejshme, policia zbuloi se edhe 33-vjeçari Gj. K., i cili mbeti i plagosur me armë, ishte person i kërkuar nga autoritetet kosovare.
Ai u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Materialet e dosjes i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.













