Korçë/ Transportonin emigrantë të paligjshëm, përplasen me automjetet e policisë, dy në kërkim

Korçë/ Transportonin emigrantë të paligjshëm, përplasen me automjetet e policisë, dy në kërkim

14:48, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një operacion i përbashkët i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe strukturave të hetimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Gramshit dhe Komisariatin nr. 5 në Tiranë, ka çuar në identifikimin e tre personave të dyshuar për transportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Operacioni nisi në zonën e Kapshticës dhe përfundoi në Gramsh. Sipas policisë, efektivët konstatuan dy automjete tip “Audi Q7”, të cilat dyshohet se kishin marrë një grup emigrantësh të paligjshëm. Drejtuesit nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar dhe u vunë në ndjekje nga forcat e policisë.

Gjatë ndjekjes, drejtuesit e mjeteve kanë lënë rreth 15 emigrantë në zonën e Lozhanit dhe janë larguar në drejtim të Gramshit. Në vijim, ata janë përballur me një postbllok policie, ku kanë përplasur dy automjete të patrullave, duke rrezikuar edhe punonjësit e policisë.

Pas përplasjes, dy automjetet “Audi Q7” janë gjetur të braktisura në dy fshatra të Gramshit. Policia ka identifikuar dy drejtuesit e mjeteve, të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa një person i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Ndërkohë, 15 emigrantët janë gjetur të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan të Maliqit. Dy automjetet e përdorura për transportin e tyre janë sekuestruar si prova materiale.

Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco