Është identifikuar autori i plagosjes me armë zjarri një ditë më parë në Tiranë, në rrugën “Hysni Gërbolli”. Autori është 50-vjeçari Sajmir Pasmaciu, i cili pas një sherri për motive të dobëta, plagosi me armë shtetasin nga Kosova, Gjenk Karabeg. Ky i fundit mori plagë në këmbë dhe pasi mori mjekim, u vu në pranga me qëllim ekstradimin, pasi rezultoi se ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës, i dënuar nga Gjykata në Gjakovë me 50 ditë burgim për posedim droge. Autori i plagosjes është ende në arrati, ndërsa është shpallur në kërkim për katër vepra penale, mes tyre, vrasje e mbetur në tentativë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën armë gjahu, thikë dhe municion luftarak. Nga komisariati numër tre është arrestuar për këtë ngjarje edhe 20-vjeçari Samuel Tahiraj i cili dyshohet se është konfliktuar me disa persona me sende të forta, duke mbetur i dëmtuar një 18-vjeçar. Ai u arrestua për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”. Për të njëjtën ngjarje nisi hetimi edhe për dy persona të tjerë të cilët kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.