Eric Wendt nisi këtë të shtunë misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila u largua në qershor të vitit 2023. Ambasadori i ri amerikan mbërriti gjatë paradites në Pallatin e Brigadave ku i dorëzoi presidentit Bajram Begaj letrat kredenciale, të cilat u pranuan nga kreu I shtetit, që i uroi suksese në këtë mandat. Sipas njoftimit të Presidencws, Begaj po ashtu rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kuadër, Presidenti u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë. "Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare", - theksoi Presidenti Begaj. Pas ceremonisë zyrtare të Letrave Kredenciale, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Ambasadorin Wendt. Diplomati vjen në Tiranë me një profil kryesisht ushtarak dhe të sigurisë. Ai ka shërbyer në ushtrinë amerikane, ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s. Gjatë prezantimit në Senat, Wend bëri të qartë dhe prioritetet e tij, ku renditi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, korrupsionit, sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Po ashtu ai konfirmoi dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj SPAK. Eric Wendt pason në këtë detyrë Yuri Kim, e cila e mbylli punën e saj në vitin 2023 dhe për gjithë periudhën që pasoi largimin e ambasadores nga Tirana, në selinë diplomatike amerikane shërbeu e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn.