Në Kombinat, Tiranë, nisën punimet për pastrimin e sheshit në rrugën “Shaban Bardhoshi”, duke i hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja për familjet që vijojnë të jenë në pritje të përfundimit të procesit të rindërtimit, pas tërmetit të vitit 2019.
Puna, e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, pritet të shoqërohet paralelisht edhe me ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës përreth pallateve të ndërtuara tashmë, me synim krijimin e një mjedisi më të sistemuar dhe funksional për banorët.
Gjatë vizitës në fillim të javës, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo u takua me familjet dhe pa nga afër ecurinë e punimeve, duke nënvizuar nevojën për koordinim të plotë mes institucioneve dhe përshpejtim të procesit.
“Rindërtimi duhet të ecë me ritëm. Familjet kanë pritur mjaftueshëm. Tani duhet punë, çdo ditë, deri te çelësi i shtëpisë së re”, thekson ministri Demo.
Ndërhyrjet në Kombinat synojnë të çojnë përpara procesin e rindërtimit, i cili pati vonesa, e përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.


