Bledar Cafi, i njohur edhe me mbiemrin Bokrri, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe BKH-ja, nën drejtimin e SPAK-ut.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ndaj Cafit, 50 vjeç, Gjykata e Posaçme ka caktuar më 25 shtator 2026 masën e sigurimit “Arrest në burg”.
SPAK e dyshon atë për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Por arrestimi i fundit nuk është hera e parë që emri i Bledar Cafit lidhet me çështje të trafikut të narkotikëve dhe drejtësisë italiane.

I dënuar në Itali për trafik droge
Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Bledar Cafin me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.
Në janar të vitit 2021, Policia e Shtetit e arrestoi në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në atë kohë, Cafi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet italiane e kërkonin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.
“Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 41-vjeçari i dënuar për veprat penale ‘Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘Trafikim droge në sasi të mëdha’”, njoftonte Policia e Shtetit në janar 2021.
Emri i tij edhe në raportet e Operacionit Forca e Ligjit
Emri i Bledar Cafit është përmendur gjithashtu në një raport të Policisë së Shtetit, ku ai dhe vëllai i tij, Gëzim Cafi, rezultonin objekt verifikimesh nga Operacioni Forca e Ligjit.
Raporti i referohej dënimeve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe verifikimeve mbi pasuritë dhe aktivitetet ekonomike të familjes.
Sipas të njëjtit raport, Bledar Cafi kishte pasur në Shqipëri disa aktivitete biznesi, përfshirë një bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit në lumin Buna, si dhe një njësi për tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore në Shkodër.
Pesë vjet pas arrestimit për llogari të drejtësisë italiane, Bledar Cafi është sërish në pranga, këtë herë në kuadër të një hetimi të SPAK-ut.
Në të njëjtin operacion, strukturat e Policisë së Shtetit dhe BKH-së kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin dhe kapjen e Endrit Dokles, i njohur edhe si Indrit Dokle.
Dokle është shpallur në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për akuza që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe grupin e strukturuar kriminal. Sipas Policisë, gjatë kontrolleve ai nuk është gjetur në banesë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.


