Milot Rashica ka vlerësuar fitoren e Kosovës ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të Ligës B të Ligës së Kombeve, duke theksuar se “Dardanët” treguan se dinë të luftojnë për njëri-tjetrin. Kosova fitoi të enjten 1-0 në “Fadil Vokrri”, falë golit të Vedat Muriqit.
Pas ndeshjes, Rashica u shpreh se Kosovën e pret një përballje më e vështirë me Austrinë, por shtoi se skuadra ka dëshmuar se mund të përballet edhe me kundërshtarë të fortë.
“E dinim që ndeshja e parë do të ishte e vështirë, sepse fizikisht janë të fortë dhe të mirë në lojën në ajër. Kryesorja ishte të nisnim me fitore. Kishim raste në pjesën e parë, por fati nuk ishte me ne. Në pjesën e dytë krijuam dhe shënuam. Irlanda është një ekip që mbrohet mirë, me gjithë skuadrën. Mbrojtësit në pjesën e parë e nxorën topin nga vija. Ishin të gjithë prapa. Ata janë të gjatë dhe të gjithë mbroheshin në 16-metërsh. Por në fund ia arritëm të fitojmë dhe e nisëm me fitore fushatën para tifozëve tanë”.
“Unë nuk kam luajtur shumë me klubin në ndeshjet e fundit, por kam qenë gjithmonë i gatshëm. Kam folur me trajnerin para se të vija dhe i kam thënë se do të jem i gatshëm për të dhënë maksimumin. U pa nga të gjithë, luftuam për njëri-tjetrin. Nëse vazhdojmë kështu, jemi në rrugë të mirë. Ndeshja ndaj Austrisë do të jetë më e vështirë për shkak të kualitetit. Edhe vitin e kaluar e treguam që mund të zhvillojmë ndeshje të mira. Do të shkojmë për fi tore”, ka thënë Rashica.
LEXO EDHE: Sonte Shqipëri-Bjellorusi/Kujdes rrugët që do të bllokohen!