Muli nuk do të merret vesh që Gysi është kunati i Gitës

26 Shtator 2026, 16:16Antena TEMA

Pas replikave të Doktorit me ministren Ismaili rreth Gysit, Muli ka një shqetësim serioz. Pasi ministrja iu përgjigj se në takim kishte qenë edhe Argita, Doktori u tërhoq nga akuza dhe gati i kërkoi falje, duke thënë se ishte deklaratë politike.

– Kjo nuk më pëlqen, – i tha Muli Lelos. – Duket sikur Doktori u dorëzua para një çupëline. Duhet të gjejmë një zgjidhje.

– Ka një zgjidhje, – i tha Lelo.

– Çfarë?

– Argita e ka Gysin kunat.

– Si, mo, kunat? Ç’punë ka Argita me Gysin?

– Ka, ka. Luani dhe Bardh Agasi janë djem tezesh, domethënë, mamatë i kanë motra.

– S’e dija këtë.

– Po, po. Kur vinte Gysi në takim te Zeni, kërkonte në fillim Argitën, se thoshte: “E kam kunatë.”

Dhe ne e dinim si kunatin e Argitës sa herë takohej me Zenin, ngaqë nuk e lidhnim fytyrën me emrin. Kur i doli fotografia, e kuptuam kush ishte.

– Kjo qenka e tmerrshme, – tha Muli.

– Jo, – i tha Lelo. – Kjo na shpëton. Do të themi që ajo vajza nuk është se ka bërë ndonjë akuzë, se Argita e ka kunat Gysin dhe mund ta takojë sa herë të dojë. Po ajo ç’punë ka që e takon?

– Jo, se kjo na dëmton më shumë, – tha Muli. – Nuk duhet të dalë kjo që Argita është kunatë e Gysit.

– Ju nga Veriu e keni këtë zakon që i thoni kunat edhe kushëririt të katërt, – tha Lelo, – se ne deri te kushëriri i parë e kemi.

– Më mirë të pranojmë që u zbyth Doktori sesa të themi që Doktori dhe Gysi janë krushq. Kjo na dëmton shumë kauzën. Vetëm të thotë edhe Doktori, si Vlora, që e kishim agjent.

– Edhe kjo funksionon, – tha Lelo. – Se ai, në njëfarë mënyre, agjent ishte, se mori përsipër të gjitha tokat e Zenit në bregdet, t’i kalonte në emër të vet dhe t’u nxirrte leje.

Lini një Përgjigje