Trafikantët e emigrantëve përplasen me policinë dhe braktisin dy “Audi Q7” në rrugë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.09.2026, 16:24

Një operacion i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të DVP Korçë, Komisariatin e Gramshit dhe Komisariatin nr. 5 në Tiranë, ka përfunduar me identifikimin e dy personave të dyshuar për transportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Operacioni nisi në zonën e Kapshticës, në Devoll, ku shërbimet e policisë konstatuan dy automjete tip Audi Q7, që dyshohet se po përdoreshin për transportin e një grupi emigrantësh.

Sipas policisë, drejtuesit e dy mjeteve nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar, duke bërë që efektivët të nisnin ndjekjen e tyre. Gjatë largimit, në afërsi të Lozhanit, drejtuesit braktisën rreth 15 emigrantë, të cilët më pas u gjetën të fshehur në një përrua në zonën e Maliqit.

Ndjekja vijoi në drejtim të Gramshit, ku dy automjetet u përballën me një postbllok policie. Sipas të dhënave të policisë, gjatë tentativës për t’iu shmangur ndalimit, mjetet përplasën dy automjete të patrullave dhe rrezikuan punonjësit e policisë.

Pavarësisht përplasjes, drejtuesit vijuan arratisjen, ndërsa më vonë dy Audi Q7 u gjetën të braktisura në dy fshatra të Gramshit.

Në përfundim të veprimeve, policia ka identifikuar dy drejtuesit e mjeteve dhe i ka shpallur në kërkim. Ndërkohë, një person tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Dy automjetet e përdorura për transportin e emigrantëve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit