
Ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri po përgatit një rikthim në hapësirën publike, këtë herë përmes një prodhimi multimedial në bashkëpunim me median “Zëri”.
Projekti pritet të sjellë rrëfimin e Tahirit për një nga periudhat më të debatueshme të karrierës së tij politike, por edhe dëshmi nga persona që kanë qenë pjesë e ngjarjeve të asaj kohe. Synimi është të rindërtohen episode të njohura dhe më pak të njohura për publikun, përmes kujtimeve, personazheve dhe materialeve të kohës.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”, ka paralajmëruar Tahiri.
Dalja e re publike vjen në një moment kur emri i ish-ministrit ka nisur të rikthehet gradualisht në vëmendje. Në muajt e fundit ai është shfaqur sërish aktiv në rrjetet sociale, pas një periudhe të gjatë me profil të ulët. Ndërkohë, çështja e tij penale vijon të jetë në Gjykatën e Lartë, ku ende nuk ishte caktuar një datë shqyrtimi. Tahiri është dënuar për shpërdorim detyre, ndërsa është shpallur i pafajshëm për akuzat e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.
Në sfond kanë qarkulluar edhe zëra për një afrim të Tahirit me eksponentë të Partisë Socialiste, përfshirë Belinda Ballukun, si edhe për vizita të tij në selinë e PS-së. Deri tani nuk ka një konfirmim publik, por diskutohet se Tahirit i është vënë në dispozicion një zyrë në selinë rozë. Nuk dihet nëse Tahiri po përgatit për të treguar versionin e tij për ngjarjet që shënuan fundin e karrierës ministrore, nëse kërkon një rikthim në jetën publike, apo nëse ka vendosur të flasë për zhvillimet e fundit brenda mazhorancës dhe institucionet e drejtësisë.