Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar se ambasadori Eric Wendt i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka shkruar se ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:
“Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”.
Presidenti Bajram Begaj pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, duke i uruar suksese në detyrë. Kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, të cilën e cilësoi “partner të pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”.
Njoftimi i plotë i Presidencës:
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. T. Z. Eric Ëendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Presidenti i Republikës i pranoi Letrat Kredenciale Ambasadorit amerikan dhe i uroi suksese në këtë mandat. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.
“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, – theksoi Presidenti Begaj.
Pas ceremonisë zyrtare të Letrave Kredenciale, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Ambasadorin Wendt”.