1. “QUEER FILM MARATHON TIRANA”, HAPJA E EDICIONIT TË 7-TË
Edicioni i 7-të i “Queer Film Marathon Tirana” do të hapet të dielën, më 27 shtator, me një mbrëmje speciale në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes, që nis në orën 19:00, do të mbahet një koncert privat nga artistja shqiptare Mira Konçi, kumbara e festivalit për këtë vit, e shoqëruar nga maestro Ekland Hasa. Nga 27 shtatori deri më 25 tetor, festivali do të sjellë në Tiranë filma, të ftuar ndërkombëtarë, biseda, ekspozita dhe evente speciale kushtuar historive, identiteteve dhe zërave queer.
2. “TRASHËGIMIA E ZEJTARISË SHQIPTARE”, DITË KUSHTUAR TRADITËS
“Trashëgimia e Zejtarisë Shqiptare” do të zhvillohet më 27 shtator në Pazarin e Ri në Tiranë nga ora 11:00 deri në 14:00. Aktiviteti do të sjellë së bashku artizanë, traditë, këngë, valle dhe art, duke krijuar një mundësi për publikun për të njohur nga afër mjeshtërinë e zejeve tradicionale dhe për të vlerësuar trashëgiminë kulturore shqiptare.
3. “DUKE KUNDRUAR BIZANTIN NGA SHQIPËRIA”, SHFAQJE NË TIRANË
Dokumentari “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria” do të shfaqet të dielën, më 27 shtator në orën 19:00 në hapësirën e BERK në Tiranë. Aktiviteti zhvillohet me rastin e BRIA FEST 2026 dhe në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë. Pas dokumentarit do të zhvillohet një bashkëbisedim mbi trashëgiminë bizantine në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Andi Rembecit dhe Sokol Çungës.
4. “SHQIPËRIA ËSHTË BIODIVERSITET”, MOZAIKU I KLEIDI ESKIT
Mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet”, i realizuar nga artisti Kleidi Eski, do të përurohet më 26 shtator në orën 17:30 në hapësirën/galerinë hbs, në Sheshin Skënderbej pranë Muzeut Historik Kombëtar. Mozaiku është pjesë e një fushate të PPNEA dhe Fondacionit Heinrich Böll, që synon të sjellë biodiversitetin shqiptar më pranë publikut dhe të rrisë ndërgjegjësimin për pasurinë natyrore të vendit. Vepra bashkon 38 lloje të veçanta dhe të kërcënuara që gjenden në Shqipëri, në një riinterpretim bashkëkohor të mozaikut “Shqiptarët” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Krahas mozaikut do të prezantohet edhe një ekspozitë edukative dhe një program publik me bashkëbisedime, punëtori, shfaqje filmash dhe aktivitete kulturore.
5. ÇELET JAVA KULTURORE KROATE, KONCERT I “AD GLORIAM BRASS”
Java Kulturore Kroate do të zhvillohet më 26–29 shtator, me një program të pasur kulturor që sjell muzikë, teatër, trashëgimi dhe bashkëpunim shqiptaro-kroat. Programi do të çelet sot në orën 18:00 në hollin koncertor të TKOB me koncertin e “Ad Gloriam Brass”, një nga ansamblet më të njohura të tunxhit në Kroaci. Koncerti me muzikë klasike, kolona zanore filmash dhe muzikë të njohur në aranzhime për instrumente tunxhi do të mbahet edhe nesër në orën 19:00 në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.
6. “NE JEMI NDRYSHE”, SHFAQJA E CIRKUT KOMBËTAR TE KUKULLAT
“Ne jemi ndryshe” është shfaqja nga artistët e Cirkut Kombëtar, që do të vijë sot në orën 17:00 në Teatrin e Kukullave.
7. “DRITAT E SPANJËS”, KONCERT NGA ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH-SË
“Dritat e Spanjës” është mbrëmja muzikore që do të mbahet nga Orkestra Simfonike e RTSH-së në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve, sot në orën 20:00 nën dirigjimin e maestro Facundo Agudin. Ky aktivitet shënon 40-vjetorin e miqësisë mes Spanjës dhe Shqipërisë.
8. “PETER PAN QUARTET” E “PASTA NIGHT” TE PARKU HELEN NË FARKË
“Pasta night” dhe një natë muzikore me “Peter Pan Quartet” do të vijë te Parku Helen në Farkë sot në orën 18:00.
9. FOTOGRAFIA/“TIRANA PHOTO FESTIVAL” VJEN NË EDICIONIN E NËNTË
Edicioni i 9-të i “Tirana Photo Festival” po vijon të mbahet deri më 30 shtator te Instalacioni “Reja” në Tiranë. Këto do të jenë ditë kushtuar fotografisë, artit dhe rrëfimit përmes imazhit, me ekspozitën me 100 fotografi single, ekspozita të përzgjedhura me seri fotografike, uorkshope dhe foto-ture.
10. KOMEDIA “E ZONJA E BUJTINËS”, PREMIERË NË TEATRIN “BYLIS”
“E zonja e bujtinës”, komedia e Carlo Goldonit, një nga veprat e tij më të njohura, do të vijojë të shfaqet edhe sonte në orën 19:00 në skenën e teatrit “Bylis”, nën regjinë e Kiço Londos.
11. “BIG BABY” VIJON SHFAQJET NË TEATRIN KOMBËTAR EKSPERIMENTAL
“Big Baby” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë edhe sonte dhe nesër në orën 20:00. Me autor Frank Moher, shfaqja vjen nën regjinë e Endri Çelës.


