
Shtëpia e Bardhë ka vendosur të mos lejojë CNN të udhëtojë me Air Force One gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në Tennessee, ku ai pritet të ndjekë një ndeshje futbolli kolegjial.
CNN ishte planifikuar të ishte pjesë e grupit të shtypit televiziv të Shtëpisë së Bardhë, një grup i vogël gazetarësh që mbulojnë aktivitetet e presidentit në udhëtimet ku hapësira për media është e kufizuar. Gazetarët e këtij grupi u transmetojnë më pas informacionet dhe materialet e mbledhura edhe rrjeteve të tjera televizive.
Vendimi u bë i ditur të premten në mbrëmje, përmes njoftimit të Shtëpisë së Bardhë mbi axhendën e presidentit. Sipas CNN, në listën e medias që do të udhëtojë me presidentin nuk është përcaktuar një rrjet tjetër televiziv si zëvendësues i CNN.
Ky është rasti i fundit në një seri përplasjesh mes administratës Trump dhe CNN, si edhe me pjesëtarë të korpusit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Javën e kaluar, Trump njoftoi se CNN, MS NOW dhe Politico do të përjashtoheshin nga mbulimi në Shtëpinë e Bardhë. Si pasojë, CNN nuk u lejua gjithashtu të udhëtonte me Air Force One gjatë vizitës së Trump në Nju Jork, për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./Versus.al

