Lifestyle

Kinematë nuk po përdoren më vetëm për filma / Muzika, poezia dhe storytelling po hyjnë në sallën e madhe!

Çfarë ndodh me një kinema kur ekrani nuk është më domosdoshmërisht protagonisti? Në Indi, sallat e kinemave po eksperimentojnë gjithnjë e më shumë me evente live, nga poezia dhe muzika te storytelling dhe formate të tjera kulturore. Times of India raporton sot se hapësira e ndërtuar tradicionalisht për të parë filma po përdoret edhe për eksperienca ku publiku dhe artisti ndodhen fizikisht përballë njëri-tjetrit.

Ndryshimi ka një logjikë interesante. Kinematë tashmë kanë shumë prej elementeve që nevojiten për një event kulturor / skenë, ndriçim, sistem profesional audio, ulëse dhe një publik që është mësuar të kalojë disa orë brenda tyre. Në vend që këto ambiente të funksionojnë vetëm sipas kalendarit të filmave, ato mund të përdoren për formate krejt të ndryshme.

Por ajo që ndryshon më shumë është atmosfera. Një film është një produkt i përfunduar që shfaqet njësoj për çdo audiencë. Një mbrëmje me poezi, muzikë apo tregime krijohet në atë moment. Reagimi i publikut, heshtja, të qeshurat apo ndërveprimi me artistin bëhen pjesë e vetë eksperiencës.

Kjo vjen në një periudhë kur aktivitetet kulturore fizike po kërkojnë mënyra të reja për të konkurruar me entertainment-in që mund të konsumohet nga divani. Nëse pothuajse çdo film apo serial mund të shfaqet në shtëpi, një event që ekziston vetëm atë mbrëmje i jep publikut një arsye tjetër për të dalë.