Në Knysna të Afrikës së Jugut, një hotel boutique ka një histori shumë më të pazakontë sesa ndërtesat klasike të hospitality. The Turbine Hotel & Spa ndodhet brenda një ish-termocentrali dhe, në vend që të fshihte të kaluarën industriale të ndërtesës gjatë transformimit, projekti ka bërë të kundërtën / një pjesë e makinerive dhe turbinave të vjetra janë ruajtur dhe integruar në ambientet e hotelit. Një review i publikuar sot nga Luxury Lifestyle Magazine e rikthen në vëmendje këtë transformim.
Ndërtesa ndodhet në Thesen Islands, në lagunën e Knysna-s. Brenda saj, pajisjet industriale bashkëjetojnë me dhomat, restorantin, spa-n dhe hapësirat e përbashkëta. Elementet që në një rinovim tradicional mund të ishin hequr si mbetje të funksionit të vjetër janë kthyer në elementet që e bëjnë hotelin të dallueshëm.
Ky lloj transformimi po ndryshon edhe mënyrën se si mendohet luks-i në arkitekturë. Një ndërtesë nuk ka nevojë të ndërtohet nga zero që të ndihet premium. Një fabrikë, magazinë, stacion treni apo termocentral mund të ketë karakteristika që një ndërtesë e re do të shpenzonte shumë para për t’i imituar / tavane të larta, struktura metalike, volume të mëdha dhe materiale që tregojnë moshën e objektit.
Për udhëtarin, historia bëhet pjesë e eksperiencës. Hoteli nuk është thjesht vendi ku fle pasi ke eksploruar destinacionin; vetë ndërtesa është diçka që mund të eksplorohet. Dhe kjo është veçanërisht e vlefshme në një treg ku shumë hotele luksoze konkurrojnë me të njëjtat elemente / spa, pishinë, restorant dhe dhoma perfekte.