Kur zgjedhim një restorant, zakonisht flasim për ushqimin, dizajnin e sallës apo atmosferën. Por një hapësirë që dikur fshihej në fund të korridorit po merr papritur shumë më tepër vëmendje, tualeti. Restorantet po investojnë në ambiente gjithnjë e më të kuruara, nga pasqyra dhe ndriçimi deri te tapetet, veprat e artit dhe detajet që janë menduar posaçërisht për t’u fotografuar. The Guardian e ka veçuar këtë fenomen si pjesë të ndryshimit të dizajnit në hospitality.
Disa zgjedhin luksin klasik, të tjerë minimalizmin, ndërsa ka edhe ambiente që shkojnë drejt një estetike pothuajse teatrale, me ngjyra, drita dhe elemente që të kujtojnë më shumë një klub sesa një tualet restoranti. Arsyeja është e thjeshtë: eksperienca e klientit nuk përfundon më te tavolina.
Rrjetet sociale kanë ndikuar dukshëm në këtë ndryshim. Një pasqyrë me ndriçim të mirë mund të gjenerojë dhjetëra fotografi nga klientët gjatë një mbrëmjeje, duke e kthyer një hapësirë funksionale në reklamë organike për restorantin. Për disa vende, fotografia në pasqyrën e tualetit mund të bëhet po aq e njohur sa një pjatë karakteristike e menusë.
Por kjo tregon edhe një ndryshim më të madh në hospitality. Restoranti modern nuk konkurron vetëm me ushqimin e restorantit tjetër; konkurron për të krijuar një ambient që klienti dëshiron ta mbajë mend. Çdo hapësirë mund të kontribuojë në këtë histori, edhe ajo që tradicionalisht konsiderohej thjesht praktike.