
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të nisë procedurat për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore dhe krimin e organizuar në zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar Peleshit me një letër zyrtare, ku kërkon nisjen e procedurave për zbatimin e vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas PD-së, vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 157, më 22 korrik 2026, dhe ka hyrë në fuqi në të njëjtën ditë. Grupi parlamentar argumenton se, në bazë të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të shqyrtohej nga Këshilli i Legjislacionit brenda 30 ditëve.
Në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Bardhi pretendon se procedura nuk është ndërmarrë në afatin e parashikuar.
“Prej më shumë se dy muajsh, ju, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për nisjen e procedurës parlamentare për zbatimin e këtij vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese, jeni duke shkelur nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të PD-së.
Bardhi e akuzon kryetarin e Kuvendit për mosveprim, duke argumentuar se vonesa cenon të drejtat e pakicës parlamentare dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në shkresën e grupit parlamentar të PD-së, nr. 3452 Prot., datë 27 korrik 2026.

