Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon kryetarit të Kuvendit, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore dhe krimin e organizuar në zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar nisjen e procedurave për zbatimin e vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas PD-së, vendimi, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 157, më 22 korrik 2026, ka hyrë në fuqi po atë ditë. Grupi Parlamentar i PD-së argumenton se, në zbatim të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të shqyrtohej brenda 30 ditëve nga Këshilli i Legjislacionit.
“Prej më shumë se dy muajsh, ju, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për nisjen e procedurës parlamentare për zbatimin e këtij vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese, jeni duke shkelur nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të PD-së.
Bardhi e akuzon kryetarin e Kuvendit për mosveprim dhe thotë se kjo situatë cenon, sipas opozitës, të drejtat e pakicës parlamentare dhe shtetin e së drejtës.
“Refuzimi apo vonesa në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e papranueshme për opozitën”, thuhet më tej në letër.
Në përfundim, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në shkresën e grupit parlamentar të PD nr. 3452 Prot., datë 27.07.2026.
Lini një Përgjigje