
Një i dënuar është gjetur i pajetë në ambientet e dusheve në burgun e Reçit në Shkodër.
Bëhet fjalë për 49-vjeçarin Agron Llapushi, i cili dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u varur me litar.
Llapushi po vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muajsh burgim, pasi ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, në vitin 2015.
Ngjarja për të cilën ai ishte dënuar kishte ndodhur në një arë, ku pas një konflikti, Llapushi kishte mbytur bashkëshorten e tij. Pas krimit, ai ishte dorëzuar në polici dhe kishte pranuar autorësinë.
Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor 2015.
Gjatë procesit gjyqësor, Llapushit iu krye një ekspertizë psikiatriko-ligjore. Sipas ekspertëve, ai nuk vuante nga ndonjë çrregullim psikik apo neuropsikik dhe nuk rezultoi i papërgjegjshëm mendërisht në momentin e kryerjes së krimit.
Ndërkohë, rrethanat e sakta të vdekjes së 49-vjeçarit në burgun e Reçit pritet të zbardhen nga hetimet e autoriteteve./Versus.al

