Kina deklaroi sot se ka arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për një paketë reciproke uljeje tarifash me vlerë 30 miliardë dollarë, si dhe për nisjen e një dialogu mbi inteligjencën artificiale (IA), në kuadër të një konsensusi prej tetë pikash të arritur gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, sipas Reuters.
Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, të dyja palët kanë rënë dakord gjithashtu të krijojnë një këshill tregtar dhe të zgjerojnë rezultatet e bisedimeve të mëparshme të zhvilluara në Kuala Lumpur.
Marrëveshja vjen pas vendimit të mëparshëm të dy ekonomive më të mëdha në botë për të zgjatur me dy muaj armëpushimin tregtar, i cili pritej të përfundonte më 10 nëntor.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha të mërkurën se zgjatja do t’u japë palëve më shumë kohë për të punuar drejt një marrëveshjeje më të gjerë tregtare.
Samiti treditor mes Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump përfundoi dje.
Takimi u karakterizua kryesisht nga diplomacia personale e dy liderëve dhe nuk solli njoftime për marrëveshje të mëdha publike.
Xi është kthyer tashmë në Pekin, raportoi sot agjencia shtetërore kineze Xinhua.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se vizita historike kishte forcuar marrëdhëniet konstruktive dhe të qëndrueshme Kinë-SHBA, kishte ruajtur stabilitetin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe kishte hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, me ndikim afatgjatë në paqen dhe zhvillimin botëror.
Në fushën e inteligjencës artificiale, Kina dhe SHBA kanë rënë dakord të zhvillojnë një dialog mbi rreziqet dhe përfitimet e teknologjisë.
Raundi i ardhshëm i diskutimeve pritet të zhvillohet në nëntor.
Palët kanë rënë dakord gjithashtu të krijojnë një kanal komunikimi për incidentet që lidhen me IA me synimin për të përmirësuar koordinimin në rast të zhvillimeve problematike.
Ministria e Jashtme kineze tha veçmas se Pekini e vlerësonte përdorimin nga Uashingtoni të termit “superinteligjencë” në vend të “inteligjencës artificiale”.













