Tech Top Tech - News

Apple më në fund palos iPhone-in dhe vjen me “iPhone Duo”… por a ia vlen 1,999 dollarë?

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

A ju ka ndodhur ndonjëherë të thoni: “Sikur telefoni im të palosej?” Jo? As mua. Por Apple vendosi ta bëjë realitet. Pas vitesh pritjeje prezantoi iPhone Duo, telefonin e parë që paloset. Dhe po… paloset bukur. Edhe buxheti juaj bashkë me të.

Kur hapet, ka një ekran 7.6 inç dhe të jep ndjesinë e një iPad-i të vogël. Apple thotë se ka fshehur pothuajse krejt vijën e palosjes falë Nano-texture, ka vendosur procesorin A20 Pro dhe një bateri që premton deri në 44 orë përdorim në ekranin e jashtëm. Në fund të vitit do të mbështesë edhe Apple Pencil-in.

Por tani vjen pjesa interesante. Për mendimin tim, nuk është se Apple bëri ndonjë revolucion. Madje hoqi Face ID dhe riktheu Touch ID. Është pak si të blesh një supermakinë dhe ta ndezësh me çelës fizik.

Edhe forma nuk më bindi. Kur është i mbyllur duket si pasaportë dhe për ta përdorur rehat me një dorë duhet të kesh dorën e një lojtari të NBA-së.

Pastaj çmimi: 1,999 dollarë. Sinqerisht, më duket se paguan më shumë dhe merr më pak sesa me një iPhone 18 Pro. Në thelb paguan për ekranin e madh dhe faktin që paloset.

Po, për dikë që bën shumë gjëra njëkohësisht, sheh filma, punon në dy aplikacione ose kalon orë të tëra në telefon, mund të jetë zgjedhje interesante.

Për mua? Është shumë bukur që Apple më në fund hyri në botën e telefonëve që palosen, por me ato para do të zgjidhja një iPhone 18 Pro, një iPad… dhe do të më mbeteshin ende para në xhep.