Tech Top Tech - News

iPhone 18 Pro pas një jave përdorimi/ A ia vlen vërtet ta ndërroni telefonin sipas Mateo Kadriut…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Para se ta dëgjoni këtë lajm, shikoni pak telefonin që keni në dorë. Nëse e keni blerë vitin e kaluar, qetësohuni… nuk ka ardhur ende momenti të shisni veshkën për një telefon më të ri. Apple në fillim të Shtatorit prezantoi iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max, si zakonisht, interneti u nda në dy grupe: ata që thanë: “Duhet ta kem!” dhe ata që thanë: “Po ky është i njëjti telefon thjesht me ngjyrë tjetër!”

Unë zgjodha të marr iPhone 18 Pro-në dhe e kam përdorur për rreth një javë, ndaj po ju jap përshtypjet personale, jo çfarë thotë reklama për të. Kamera është shumë e mirë,  sidomos në errësirë, por nëse vini nga iPhone 17 Pro, mos prisni të zbuloni një galaktikë të re. Fotot janë pak më të mira në ngjyra dhe kamera main tani ka dhe variable aperture.

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është bateria. Më në fund, një telefon që në orën pesë të pasdites nuk të lë me 5% bateri. Me thënë të drejtën, tani e mbyll ditën pa menduar fare për karikuesin dhe, besojeni ose jo, ky është një nga ato përmirësime që e ndjen realisht në përdorimin e përditshëm. E gjitha kjo falë chipit të ri A20 Pro, të ndërtuar me teknologjinë 2 nm. Edhe karikimi është dukshëm më i shpejtë.

Dynamic Island është më e vogël. Jo super i vogël, por mund ta dallosh në krahasim me 17 Pro. Edhe pjesa e pasme tani është me ngjyrë të njëtrajtshme me trupin e telefonit. Shumë elegante… derisa t’i vendosësh koverin dhe të harrosh fare çfarë ngjyre kishe blerë.

Sa për Siri AI… ende nuk është ai shoku që të zgjidh hallet. Thjesht është shpejtuar pak, po nuk vërej ndonje ndryshim të madh nga Apple Intelligence.

Pra, a ia vlen? Sipas përvojës sime, nëse keni një iPhone 15 Pro, 16 Pro ose 17 Pro dhe bateria ende ju mban mirë, nuk mendoj se keni ndonjë arsye të fortë për ta ndërruar këtë vit. Por nëse vini nga një model më i vjetër, ndryshimi ndihet qartë.