Politikë

‘Joe Biden dhe SHBA e tradhtuan Thaçin’- Blushi reagon pas deklaratave të Ramës: Kryeministri s’ka lëvizur as gishtin e vogël për të nxitur njohjen e Kosovës!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pasi kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga New York se SHBA dhe ish-Presidenti Joe Biden e kanë tradhtuar Hashim Thaçin dhe 3 ish-krerët e tjerë të UÇK-së, që u dënuan me 81 vite burg në total nga Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi ka shkruar se ka qenë kryeministri Rama që e ka tradhtuar Kosovën, pasi sipas tij, ka bashkëpunuar me Serbinë.

Blushi tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama ‘nuk ka lëvizur as gishtin e vogël’ për të nxitur njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete. Deklaratat e Ramës nga New York për ish-Presidentin Joe Biden dhe SHBA-të, Blushi i cilësoi si hamendësim.

Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi:

Tradhtia e provuar dhe “tradhtia” e hamendësuar

Tradhtari i provuar i kombit, Edi Rama akuzoi SHBA dhe ish-Presidentin Biden për “tradhti” të hamendësuar ndaj krerëve të UÇK, rrjedhimisht, ndaj Kosovës.

Pasi nuk mund të përsërisë më pafundësisht refrenin “Fajin e ka Saliu”, Rama duket se ka gjetur një adresë tjetër ku të transferojë tradhtinë.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton qëndrimet e vetë Ramës ndaj Presidentit aktual të SHBA, Donald Trump, që me të njëjtën gjuhë të ashpër e cilësonte si një kërcënim për njerëzimin dhe uronte të mos fitonte kurrë.

Por nëse flasim për Kosovën, tradhtia e provuar, ka emër: Edi Rama.

Që kur u çlirua Kosova, armiqtë e kombit shqiptar, ndoqën një politikë shumë të mençur, duke u përpjekur ta “marrin kalanë” nga brenda me “kalin e Trojës”, Edi Rama.

Lapidar mbetet konstatimi i gazetarit të mirënjohur gjerman, Michael Martens: “Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikola Pashiç”

Faktet flasin vetë!

1. Edi Rama mbështeti me fanatizëm projektin e ndarjes së Kosovës.

2. Edi Rama emëroi Ministër të Jashtëm, një anonim, vetëm pse mbështeste publikishit ndarjen e Kosovës.

3. Edi Rama është ndër themeluesit në Nish të projektit të “Ballkanit të Hapur”.

4. Edi Rama është autori i hedhjes në gjyq, për herë të parë në historinë e shtetit tonë dhe të shtetit të Kosovës, të kryeministrit të Kosovës (Ramush Hajradinaj).

5. Edi Rama është autori i deklaratës skandaloze, që tronditi dhe mediat britanike, se veriu i Kosovës, është tokë e askujt.

6. Edi Rama është autori i deklaratës skandaloze, që së afërmi Shqipëria dhe Kosova, do të kishin një President (nënkupto zhbërjen e shtetit të Kosovës).

7. Edi Rama ishte Kryeministri që u vonua më shumë nga të gjithë, për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë dhe që nuk e dënoi aktin e rrëmbimit të policëve të Kosovës në territorin e tyre nga ushtria serbe.

8. Edi Rama, provokon vazhdimisht Kosovën, pavarësinë e saj, shtetin e saj dhe njëkohësisht i mban ison Serbisë.

9. Edi Rama në 13 vite në pushtet nuk e ka përmendur kurrë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që legjitimoi pavarësinë e Kosovës.

10. Edi Rama nuk ka lëvizur as gishtin e vogël për të nxitur njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete.

11. Edi Rama nuk përmendi Kosovën në fjalimin e tij në OKB se mos mërzitej Beogradi.

12. Edi Rama emëroi në krye të SHISH, Vlora Hysenin të shkarkuar nga Albin Kurti për lidhje agjenturore me UDB-në.

13. Kllounët mediatikë që financohen nga UDB, mbështetin të gjithë Edi Ramën.

14. Edi Rama i doli në krah Serbisë për të mos I vendosur sanksione Rusisë.

15. Edi Rama nuk guxoi të shpallte non-grata ministren serbe që glorifikoi genocidin në Kosovë

16. Edi Rama i bashkohet Vuçiçit për “integrimin europian” por kurrë me Kryeministrin e Kosovës.

17. Edi Rama kërkonte uljen e Serbisë në tryezë me BE kur e gjithë Europa dënonte Serbinë për glorifikimin e kriminelit Ratko Mlladiç

Faktet nuk manipulohen dot dhe as “tradhtia” nuk mund të hidhet përtej Atlantikut.

Tradhtia është në Tiranë.

Tradhtia ka emër.

Tradhtia është Edi Rama.