Tech Top Tech - News

Apple Watch tani “dëgjon” bisedat tuaja dhe i përmbledh për ju?! Risia që po ngre pikëpyetje…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Sa herë keni thënë “E kisha në majë të gjuhës…”? Epo, Apple ka vendosur që ora juaj të ketë kujtesë më të mirë se ju. U prezantuan Apple Watch Series 12 dhe Ultra 4, dhe risia më e madhe nuk është dizajni, por inteligjenca artificiale që mban mend bisedat tuaja.

Funksioni i ri quhet Live Rewind. Me dy shtypje të crown, ora të shfaq 15 sekondat e fundit të bisedës në tekst. Praktike? Ndoshta. Pak e frikshme? Edhe më shumë. Është për atë momentin kur thua: “Çfarë tha?” dhe ora përgjigjet: “Mos u shqetëso, se po dëgjoja unë.”

Apple thotë se nuk regjistron audio, por krijon përmbledhje të bisedave dhe të ndihmon të kujtosh mbledhje, takime apo detaje të rëndësishme. Ka edhe funksione të reja për shëndetin, si matja e rrahjeve të zemrës çdo pesë sekonda, një tregues i gatishmërisë së trupit për ditën dhe një “moshë biologjike” bazuar te të dhënat e shëndetit.

Por sinqerisht… për mua ky është më shumë një përditësim i softuerit sesa një orë e re. Madje, Series 12 ka edhe bezela pak më të trashë se Series 11, gjë që nuk e prisja. Nuk është se e dallon dikush, por kur e krahason, bie në sy.

Për mendimin tim, Apple nuk bëri ndonjë hap gjigant këtë vit. Po, sensori që mat çdo pesë sekonda është një përmirësim i bukur dhe funksionet e reja të Health janë aq të shumta sa Whoop dhe Fitbit me siguri nuk po flenë rehat. Por nëse prisnit një revolucion, këtë vit do të duhet të kënaqeni me një evolucion. Apple duket se ka investuar më shumë te inteligjenca artificiale sesa te vetë ora.