Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Imagjinoni pak këtë skenë: avionët luftarakë janë ngritur në ajër, urdhrat janë dhënë, tensioni është në maksimum… dhe në sekondat e fundit dikush zbulon se arsyeja e gjithë operacionit ishte një gabim i inteligjencës artificiale. Jo një spiun. Jo një satelit. Një chatbot.
Kjo ndodhi realisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas raportimeve, ushtria ishte gati të godiste një anije kineze, sepse një sistem me inteligjencë artificiale kishte identifikuar gabimisht ngarkesën e saj si pjesë të një programi bërthamor. Fatmirësisht, gabimi u zbulua në momentin e fundit dhe operacioni u anulua.
E gjithë historia nisi kur një analist përdori një chatbot për të analizuar informacionet. AI gaboi. Pastaj i njëjti chatbot e ktheu gabimin në një raport që dukej aq profesional, sa kaloi nëpër disa nivele komandimi pa u vënë në dyshim.
Kjo është pak si t’i kërkosh shokut të klasës të të bëjë detyrat, ai t’i kopjojë gabim nga interneti… dhe papritur drejtori shpall pushim ditën për gjithë shkollën. Vetëm se këtu nuk bëhet fjalë për një notë të keqe, Po flasim për një gabim që mund të kishte përshkallëzuar tensionet mes dy prej fuqive më të mëdha në botë.
Ekspertët thonë se inteligjenca artificiale mbetet një mjet shumë i vlefshëm, por vetëm kur ka kontroll të fortë njerëzor. Sepse AI mund të jetë shumë e shpejtë, shumë bindëse… dhe ndonjëherë shumë gabim.
Pra, herën tjetër kur ChatGPT, Claude ose Gemini, t’ju thotë me vetëbesim diçka të çuditshme, mos e besoni menjëherë. Në rastin më të keq ju prish një detyrë. Në rastin më ekstrem… mund të prishë paqen botërore.