Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij se janë bërë pengesa kryesore për zbatimin e planit të paqes për Gazën, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, kreu i diplomacisë deklaroi se qeveria izraelite po kryen shkelje të vazhdueshme që po dëmtojnë përpjekjet ndërmjetësuese.
“Kemi një listë të gjatë shkeljesh që, fatkeqësisht, qeveria e Netanyahut po kryen. Parimisht, kemi parë se ai është pengesa më e madhe aktualisht në përparimin e këtij plani paqjeje, ndërsa të gjithë ndërmjetësit po punojnë shumë për t’u siguruar që kjo marrëveshje të respektohet,” u shpreh Al-Thani.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Katarit hodhi poshtë sërish raportimet e fundit se Doha ka financuar krahun ushtarak të Hamasit, duke ritheksuar se mbështetja e Katarit nuk ka shkuar kurrë për strukturat e armatosura.
I pyetur mbi rolin e Katarit si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit, Al-Thani bëri thirrje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lirisë së navigimit, duke dënuar çdo përpjekje për bllokadëDetare.
“Përdorimi i rrugëve detare për të bllokuar vendet dhe lirinë e navigimit është i papranueshëm. Kjo konsiderohet si përpjekje për presion dhe ne refuzojmë çdo bllokadë apo shantazh nga çdo shtet apo palë,” deklaroi ai.
Lini një Përgjigje