Dëmtimi delikat në gju i Kylian Mbappe, dalin përgjigjet e analizave: Ja kur rikthehet ylli i Real Madrid

26/09/2026 18:59

Vetëm një alarm i rremë për Real Madridin. Kylian Mbappé i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore në Madrid, pas dëmtimit të pësuar një natë më parë me Francën, dhe tashmë është mësuar edhe koha e pritshme e mungesës së sulmuesit.

Kontrollet kanë zbuluar se Mbappé ka pësuar hiperekstension të kapsulës së pasme të gjurit të majtë, me një periudhë rikuperimi të parashikuar prej 10 deri në 12 ditësh.

Ky është një lajm pozitiv për Real Madridin, pasi sulmuesi francez pritet të ketë mundësi të rikthehet në kohë për El Clasicon e parë të sezonit ndaj Barcelonës, që do të zhvillohet më 25 tetor, në orën 21:00, në “Spotify Camp Nou”.

Dëmtimi ndodhi një natë më parë, gjatë ndeshjes Turqi-Francë në Ligën e Kombeve, në Kocaeli. Mbappé realizoi golin që i dha avantazhin Francës, por menjëherë pas goditjes kapi gjurin e majtë dhe shfaqi shqetësime të forta.

Sulmuesi u përpoq të vazhdonte ndeshjen, por dhimbjet e detyruan të largohej nga fusha. Fillimisht, Federata Franceze e Futbollit njoftoi se bëhej fjalë për një “dëmtim tendinoz” dhe se lojtari do të kthehej në Madrid për të nisur trajtimin.

Ekzaminimet e kryera në kryeqytetin spanjoll kanë sjellë tashmë më shumë qartësi. Mbappé pritet të mungojë rreth dy javë, ndërsa objektivi i tij është të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Barcelonës.

Megjithatë, Real Madridi duhet të menaxhojë me kujdes situatën, pasi bëhet fjalë për të njëjtin gju që i shkaktoi probleme sulmuesit edhe sezonin e kaluar. Atëherë, Mbappé humbi 12 ndeshje për shkak të dëmtimit, ndërsa në disa të tjera luajti me kufizime.

Përveç El Clasicos, madrilenët kanë përpara një seri të rëndësishme ndeshjesh. Fillimisht do të përballen me Villarrealin pas dy javësh, ndërsa më pas do të luajnë ndaj Romës në transfertë, Sevillas në shtëpi dhe Leipzigut.

Ndërkohë, Mbappé nuk është i vetmi lojtar i Real Madridit që është kthyer nga grumbullimi me Francën me probleme fizike. Edhe Ibrahima Konaté ka pësuar një dëmtim në ligamentin kolateral të gjurit të djathtë. Për mbrojtësin francez pritet që rikuperimi të jetë më i shpejtë dhe ai synon të jetë gati për ndeshjen ndaj Villarrealit, në varësi të ecurisë së tij gjatë javës së ardhshme.

Top Channel