Banda që luante rock

26 Shtator 2026, 19:16Kulturë Ardian Vehbiu

“La mia banda suona il rock”, këndonte kantautori italian Ivano Fossati në 1979. Unë ndiqja atëbotë vitin e dytë të Fakultetit Histori-Filologji, në degën gjuhë-letërsi, dhe ndihesha çdo ditë e më dimëror e i qullur në shiun e hidhur të Tiranës që dergjej në shtrat me trupin e lodhur të liderit Enver. Këtë blues që nuk kish muzikë të ma shpëlante.

Ca fjalë në tekstin e këngës së Fossati-t nuk i merrja vesh:

La mia banda suona il rock
Ed è un’eterna partenza
Viaggia bene ad onde medie
E a modulazione di frequenza

E kuptoja mirë që shprehja “onde medie” kish të bënte me valët e mesme, ku transmetonte radioja – e njëjta radio RAI ku edhe e dëgjoja këngën. Çfarë nuk kuptoja ishte kjo “modulazione di frequenza”.

Dikur do të mësoja se Fossati e kish fjalën për transmetimet radio në FM: vetëm pak vjet më parë, në mes të viteve 1970, stacione të vogla radio, private dhe lokale, kishin nisur të transmetonin në FM anembanë Italisë.

Kjo FM (frequency modulation) i referohet teknologjisë së transmetimit elektro-magnetik të zërit: ndryshe nga AM-ja, që e realizon këtë duke moduluar amplitudën, FM-ja modulon nga pak frekuencën e valës, për t’ia përshtatur sinjalit zanor.

Praktikisht të gjitha aparatet radio që kishim atëheë në Shqipëri vinin me teknologjinë AM. FM-ja ishte një teknologji më e re dhe më e kushtueshme, që siguronte cilësi më të mirë audio, përfshi këtu edhe transmetimin komercial në stereo.

Gjithsesi, në 1979 unë nuk e dija (ose të paktën nuk e dija që nuk e dija) se ç’ishte “modulimi i frekuencës” dhe as kisha parë (e dëgjuar) ndonjë radio FM; prandaj vargun e Fossati-t thjesht do ta shtoja në listën e atyre mistereve që më përcillte nga italishtja radiofonike dhe televizive, por që nuk kishin të bënin me gjuhën vetë.

Në Itali, dhe gjetiu në Europën Perëndimore, teknologjia FM u përhap krahas me lulëzimin e radiove (dhe të televizioneve private), shpesh lokale dhe me fuqi transmetimi të vogël. Mundësoi një lloj “demokratizimi” të mediave elektro-magnetike. Nga ana tjetër, sinjali FM nuk udhëtonte dot aq larg sa ai AM. Në fakt, edhe kur filluan të vijnë në Tiranë radiot FM, sinjalet nga bregu përtej i Adriatikut mezi arrinim t’i kapnim.

Ishte një verë nga të hershmet tonat në Himarë, besoj në 1983, kur një shok solli me vete një radio-transistor me AM dhe ashtu zbuluam një botë të tërë, plot zhurmë, muzikë dhe reklama, që vinte nga Italia (dhe natyrisht nga Greqia), ndaj së cilës radiot tona mbeteshin të shurdhra.

Vitet 1980 ishin vitet e modernizimit dhe të transformimit radikal jo vetëm të radios dhe të televizionit italian, por edhe të mënyrës si perceptohej muzika pop nga brezi i ri në atë vend. Deri atëherë, italianët – por edhe një pjesë e dëgjuesve në Shqipëri që e ruanin interesin për radio RAI-n – prezantoheshin me një Itali kompakte dhe zyrtare, institucionale dhe “kombëtare”. Revolucioni FM dhe i televizioneve lokale, i autorizuar tashmë me ligj, e theu këtë imazh në mijëra copëra duke fragmentuar edhe masën e dëgjuesve. Pikërisht këtu zuri fill edhe distancimi i tanishëm “kulturor” i italianëve nga shqiptarët, ose të paktën i atyre brezave si yni, që deri atëherë ishin rritur si “fëmijë” të RAI-t.

Kur më dhuruan më në fund një boombox të thjeshtë, që kishte edhe FM, dhe fillova të eksploroj siç bëja zakonisht me radion time besnike AM, e kuptova – me pak trishtim – se ajo nuk do të ishte kurrë për mua, meqë sinjalet FM nga Italia vinin të dobëta, të deformuara, të padëgjueshme.

Një histori nga vera e vitit 1990, kur u lejua më në fund që të merrje një numër jashtë Shqipërisë drejtpërdrejt nga telefoni i shtëpisë, pa qenë nevoja që të lidheshe më parë me “centralin”: një lloj hapjeje ishte edhe kjo. Një shoku im, Gëzimi, që e kish bërë zakon ta dëgjonte nga apartamenti i tij i lartë një nga stacionet “e reja” FM, të quajtur Radio 105, kish marrë vesh se mund të kërkoje atje një këngë, për datëlindjen tënde, duke telefonuar një ditë më parë, te një numër i caktuar. Ashtu bëri, i ra numrit dhe u kërkoi “Downtown Train”, në interpretimin e Rod Stewart-it. Kushedi pse. U prezantua me emrin (kaq mesjetar e kalorësiak) “Gioia da Tirana” – mbase për lehtësi shqiptimi. dhe mrekullia ndodhi: për herë të parë, në përvojën tonë, akulli u thye, ana andej u përgjigj menjëherë dhe Radio 105-a e transmetoi, të nesërmen në orën 7:20 të mëngjesit, këngën me dedikim të posaçëm për Gioia-n “da Tirana” që e kish porositur. Gëzim i madh për Gëzimin dhe të gjithë Gëzimët e rrugës së Durrësit! Një hap i vogël për historinë e radiove FM në Itali, një hap gjigand në historinë e ndërveprimeve tona telekomunikative me botën andej. Korriku i ambasadave ende nuk kish pllakosur…

Pak muaj më pas unë do të largohesha përfundimisht nga Shqipëria, për t’u vendosur në Napoli; por edhe atje nuk u mësova dot kurrë me radiot lokale dhe rrokopujën që përhapnin, ku fjalët, muzika dhe reklamat bashkoheshin në një rrymë të vetme rrëmbyese. Sot i kujtoj vetëm si zhurma që vinin nga dritaret e hapura të komshinjve dhe nga makinat në rrugë. Gjithnjë preferova qetësinë e RAI-t dhe imazhet mendore aq Zen, të përcjella nga radioja “nacionale” e Italisë, përfshi edhe zogthin cicërues, ndaj zallahisë së një radioje lokale në FM, si përrua ku të mbysnin numrat lloje-lloje, çmimet e shërbimeve dhe të abonimeve, ofertat e djathit mozzarella në supermarkete, datat e kalendarit, numrat e telefonit me gjithë prefikse, përfshi edhe të gjelbrit, parashikimet e motit, adresat ku të dërgoje postë, raportet e trafikut në rrugët e lagjes. Njëfarësoj këta numra sikur zëvendësonin interferencat që sundonin në bandën e valëve të shkurtra, dikur; kur nuk rimerrnin të mistershmit “stacione numrash” të viteve të Luftës së Ftohtë.

Një ditë do të kuptoja edhe se “banda” e Fossati-t, që luante rock, ishte njëherazi një grup muzikor, por edhe një bandë radiofonike – si FM-ja. Mbase për këtë arsye teksti i këngës përdorte një term teknik, si “modulazione di frequenza”, disi të pazakonshëm për një këngë; por në një kohë kur lufta mes “bandave” AM dhe FM në Itali kish marrë tashmë trajtat e një konflikti mes brezave. Italia e Mediaset-it dhe e Berlusconi-t po avitej në horizont, një Itali tjetër, e re dhe agresive, të cilën edhe e jetova drejtpërdrejt, por që nuk më tundoi kurrë, duke më lënë rob të asaj tjetrës, tashmë fantomatike dhe thjesht eterike, të identifikuar në sinjalin e RAI-t dhe në frymëmarrjet adriatike të valëve të mesme.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje