Punë edhe pas sezonit turistik në Durrës, 3 200 leje unike për punëmarrës të huaj në 8 muaj, 50% më shumë se vjet

26/09/2026 19:16

Sezoni turistik po shkon drejt fundit, por për një pjesë të punonjësve të huaj puna do të vijojë edhe gjatë dimrit.

Nga fasoneritë e peshkimi, te hotelet, restorantet dhe shërbimet, prania e tyre në tregun e punës në Durrës po zgjerohet.

Sipas specialistëve, bizneset po kërkojnë t’i mbajnë gjatë gjithë vitit dhe të dhënat e 8-mujorit tregojnë rritjen e kërkesës për këtë forcë pune.

Këtë vit në Durrës janë lëshuar gjithsej 3 200 leje unike për punëmarrës të huaj, nga 2 140 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 50 % më shumë. Edhe lejet e reja, që u dhanë për herë të parë, janë rritur me afro 31 %.

Numri më i madh i punonjësve të huaj janë nga Egjipti, India dhe Filipinet. Nuk mungojnë as shtetasit nga Turqia, Mianmari, Italia dhe vende të tjera.

Për një pjesë të tyre, vijimi i punës pas sezonit lidhet me mundësinë për të siguruar më shumë të ardhura për veten dhe familjet e tyre.

Punonjësit e huaj po bëhen më të pranishëm e të qëndrueshëm në tregun e punës në Durrës, teksa kërkesa e bizneseve për staf vijon të rritet.

Top Channel