“Humori, Parlamenti apo qeveria: Kush të bën të qeshësh më shumë?”

26 Shtator 2026, 19:30Blog TEMA
“Humori, Parlamenti apo qeveria: Kush të bën të

Nga Filip Çakuli


Shqipëria ka mbetur pa humor. Për fat, ka qeveri.

Dikur Shqipëria kishte estradë.

Jo vetëm në Tiranë. Kishte në çdo qytet. Estrada e Shkodrës, e Durrësit, e Korçës, e Vlorës, e Elbasanit… Secili qytet kishte njerëzit e vet që këndonin, luanin, bënin skeçe dhe, mbi të gjitha, dinin të bënin shqiptarët të qeshnin.

Dhe qeshnin. Natyrisht jo humor politik, se kishte censurë dhe autocensurë. Po tallja me zakonet, burokracinë, dukuritë e përditshme ekzistonte. Dhe lejohej.

Të premten ose të shtunën mbrëma, televizori ishte gati. Televizioni Shqiptar sillte humorin e estradave nga gjithë vendi. Kishte këngë, parodi, personazhe, batuta. Kishte humor me komshiun, me nëpunësin, me vjehrrën, me policin, me shefin, me burokracinë dhe, kur guxonte, edhe me pushtetin.

Ishte një Shqipëri me një televizor në shtëpi, por me shumë humor.

Sot kemi dhjetëra televizione dhe shumë më pak humor.

Estradat u zhdukën, skenat u boshatisën, trupat artistike u tretën dhe humori shqiptar u bë pak a shumë si një specie në zhdukje. Dikur çdo qytet kishte estradën e vet. Sot çdo qytet ka të paktën një televizion lokal, disa portale, dhjetëra studio dhe qindra njerëz që flasin seriozisht.

Shqiptarët kanë shumë arsye për të qeshur, por shumë pak vende ku mund të qeshin.

Sot, në televizion, hapësira e vetme e humorit mbetet Portokallia e Top Channel-it. Një grup aktorësh të talentuar vazhdon të mbajë gjallë një traditë që dikur ishte shumë më e gjerë. Tashmë në drejtimin e saj është Agron Llakaj, aktor me përvojë të gjatë në humor, që nuk është vetëm interpretues, por edhe krijues e shkrues i materialeve që luan.Sot Portokallia duhet të marrë pësipër barrën e rëndë për t’i bërë shqiptarët të qeshin. Pse them barrë e rëndë. Se mbetën vetëm dhe u bie barra. Se janë pjesë e Topit dhe u shtohet barra e përgjegjesisë.

Topi është i pari, kështu që Portokallia nuk mund të jetë e dyta…

Dhe pikërisht këtu lind pyetja:

Pse të mos i japim humorit atë që Shqipëria prodhon më shumë se çdo fabrikë: politikën?

Sepse lënda e parë nuk na mungon.

Qeveria prodhon materiale humoristike çdo ditë, pa pasur nevojë për autorë. Ministrat prodhojnë personazhe. Parlamentarët prodhojnë dialogë. Fjalimet prodhojnë skeçe. Konferencat e shtypit prodhojnë monologë. Deklaratat politike prodhojnë batuta.

Dhe, ç’është më e bukura, janë të gjitha falas.

Një autor humori mund të kalojë tri ditë duke menduar një batutë.

Politika ta jep për tre minuta.

Një skenarist mund të lodhet duke krijuar një personazh grotesk.

Pastaj del një zyrtar në televizor dhe ia prish gjithë punën: personazhi real është më grotesk se ai imagjinar.

Dikur humoristi duhej të shpikte situatën.

Sot mjafton të ndezë televizorin.

Madje, me ritmin e politikës shqiptare, humoristi rrezikon të mos e kapë aktualitetin.

Shkruan një skeç të hënën.

Të mërkurën ndryshon deklarata.

Të premten humoristi e heq skeçin sepse realiteti e ka tejkaluar.

Sepse realiteti ka prodhuar një tjetër.

Kjo është ndoshta e vetmja industri shqiptare që nuk ka nevojë për investitor strategjik.

Por humori politik nuk do të thotë thjesht të tallësh politikanin. Do të thotë të bësh atë që ka bërë gjithmonë humori i mirë: të tregosh absurditetin e jetës përmes së qeshurës.

Një ministër mund të bëhet personazh.

Një mbledhje qeverie mund të bëhet skeç.

Një konferencë shtypi mund të bëhet parodi.

Një debat parlamentar mund të kthehet në teatër.

Një deklaratë politike mund të marrë vendin që dikur kishte batuta e estradave.

Dhe publiku mund të qeshë me pushtetin pa pasur nevojë ta urrejë.

Sepse humori nuk është vetëm armë politike. Është edhe mënyrë për të mos u marrë shumë seriozisht nga ata që merren shumë.

 

Lini një Përgjigje