I dënuar për vrasjen e bashkëshortes, 49-vjeçari gjendet i pajetë në burgun e Reçit

Kronike

Publikuar: 26/09/2026

I dënuar për vrasjen e bashkëshortes, 49-vjeçari gjendet i pajetë në burgun e Reçit

Një 49-vjeçar, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes i ka dhënë fund jetës në burgun e Reçit. 49-vjeçari, Agron Llapushi është gjetur i pajetë në ambientet e dusheve të institucionit të vuajtjes së dënimit.

Llapushi mësohet se ishte dënuar me 24 vite e 4 muaj burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ndërkaq, autoritetet e burgut kanë nisur procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Agron Llapushi, 49 vjeç, i lindur në fshatin Holtas dhe banues në Çekin të Gramshit, ishte i dënuar me 24 vjet e 4 muaj burg për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, në vitin 2015.

Sipas dosjes, Llapushi, pas kthimit nga emigrimi në Greqi, rreth moshës 39-vjeçare, vrau bashkëshorten në një arë në Gramsh, në tokën e quajtur “Mhalla e Lepurit”. Ai e mbyti me duar duke e shtrënguar në fyt derisa ajo humbi ndjenjat dhe më pas i shtrëngoi litarin në qafë.

Çifti kishte dy fëmijë, të cilët asokohe ishin të vegjël.Llapushi u dorëzua vetë në polici dhe pranoi krimin. Ai deklaroi se konflikti kishte motive ekonomike, se jetonin në kushte të vështira dhe se para ngjarjes kishte pasur çrregullime mendore e depresion (madje kishte shkuar te një psikolog në Elbasan). Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm, por Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vjet e 4 muaj për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” (neni 79/c i Kodit Penal).

Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor 2015; ai ishte arrestuar më 1 prill 2015, ndërsa ekspertiza psikiatrike konkludoi se Llapushi nuk vuante nga sëmundje psikike apo neuropsikike dhe se simptomat që pretendoheshin nuk plotësonin kriteret për sëmundje madhore mendore.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Reçit, ai pati shumë pak kontakte me familjarët: vetëm një takim në 2023 dhe një tjetër në 2025. Për pjesën tjetër të kohës nuk e kishte vizituar askush, ndërsa sot është gjendur i pajetë në ambientet e këtij burgu.