Kombëtarja hap sot në “Air Albania” fushatën e këtij sezoni të Ligës së Kombeve, ku synimi është një dhe i vetëm, ngjitja në ligën B.

Në 20:45 skuadra e trajnerit Rolando Maran zbret në fushën e blertë ndaj Bjellorusisë si favoritë për fitimin e ndeshjes.

Tekniku italian ka zgjedhur edhe 11-shen që zbret në fushën e blertë. Nuk ka surpriza, i ndikuar edhe nga problemet me dëmtime që e kanë karakterizuar Kombëtaren gjatë këtij grumbullimi.

Rikthim i madh për Berishën, që aktivizohet në portë, teksa një vend në 11-she ka edhe për Hysajn, i cili ende nuk ka gjetur ekip dhe po stërvitet me Vllazninë.

Vend titullari edhe Pilon në të majtë, teksa mesfusha dhe sulmi nuk kanë surpriza. Pritshmëri të mëdha për Muçin, i cili është lojtari më në formë i Kombëtares në këtë grumbullim.

Rezultati live:

Shqipëri-Bjellorusi 2-0
Asllani 34′, Muçi 45+1′

Minutë pas minute: 

56’ Seferi shërbehet shumë mirë nga Asllani, por sulmuesi bën një gjuajtje shumë të dobët dhe humbet shans të madh.

55’ Pasim nga e djathta në “zemër” të zonës sonë, bjellorusët humbin shans të madh përballë Berishës me një goditje që shkon mbi portë.

54’ Detyra e vetme në këtë pjesë të dytë është menaxhimi dhe shfrytëzimi që mund të lënë bjellorusët mbrapa. Shqipëria vijon të jetë në sulm, por pa aventura.

46’ Nis pjesa e dytë, kuqezinjtë kërkojnë të thellojnë shifrat dhe të vulosin 3 pikët.

45+3′ Mbyllet pjesa e parë.

45+1’ Goool Shqipëria 2-0! Ernest Muçi vjen edhe te kombëtarja dhe tregon klasin e tij me një gjuajtje të zgjuar. (Video)

36’ Rey Manaj arrin të lirohet në një mundësi të artë, por nuk godet si duhet në momentin final.

34’ Gooool Shqipëria 1-0!! Manaj ia lë 11-metërshin Asllanit, që godet dhe tregohet i saktë për 1-0. (Video)

32’ Gjimshiti arrin t’i marrë kohën kundërshtarit dhe fiton një penallti gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndi.

31’ Bjellorusët vënë në vështirësi skuadrën tonë me vrapimet e shumta dhe nuk e lejojnë të dalë rrjedhshëm në sulm. Ende nuk kemi bërë gjuajtje në kuadratin e bjellorusëve.

20’ Ndeshja ul ritmin sa i përket rasteve, gabime, përplasje dhe faulle në mesfushë. Kombëtarja duket e paqartë në rrugën drejt portës kundërshtare.

7’ Kuqezinjtë tregohen “të butë” në mbrojtje dhe lejojnë rivalët të rrezikojnë me një gjuajtje rreth 10 metra distancë. Fatmirësisht pret Berisha, i ndihmuar edhe nga gjuajtja e dobët e miqve.

5’ Kuqezinjtë e nisin menjëherë me presing lart dhe tentojnë nga pozicione të ndryshme. Rasti më për tu shënuar: një goditje dënimi e ekzekutuar nga Manaj ngjitur me trekëndëshin e portës bjelloruse.

1′ Nis ndeshja në “Air Albania”.

Top Channel