E shtunë, 26 Shtator 2026 Familja Kuqezi deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 orë më parë
Politikë

Rama me komunitetin shqiptar në Staten Island: Diaspora ka dhënë kontribut të madh për Shqipërinë

Në vijim të vizitës së tij në SHBA, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, në Nju Jork.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se diaspora shqiptare ka luajtur një rol të madh për Shqipërinë në momentet më të vështira.

“Në vitin 2015-të, unë isha në një darkë shqiptarësh bashkë me Hashim Thaçin, ku u diskutua ideja që një vit më pas u bë Samiti i Diasporës në Tiranë. 10 vjet prej atij Samiti, besoj se kanë ndodhur plot gjëra pozitive, dhe lidhja e diasporës me Shqipërinë, e cila deri asokohe lidhej vetëm me dërgesat që të gjithë emigrantët shqiptarë çonin në Shqipëri që familjet t’i mbijetonin vështirësive, është kthyer në një lidhje ku shumëçka tjetër ndodh, dhe ku janë ngritur ura nëpër të cilat kalojnë interesa, kalojnë investime, kalojnë edhe plot rikthime shqiptarësh në tokën amë, qoftë për të financuar projekte, apo për të qëndruar në Shqipëri.

Në këto vite ka një fakt të jashtëzakonshëm, që e vendos çdo emigrant shqiptar në piedestal. 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat financiare të diasporës. 9 në 10 shqiptarë janë shkolluar apo kanë përmirësuar jetën e tyre falë jush e çdo familjari që i është gjendur në ditë të vështira. Ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare”, tha Rama.

Më tej, kryeministri deklaroi se qeveria shqiptare së bashku me diasporën tani janë në një fazë tjetër, në fazën e bashkëpunimit.

“Por, siç e thashë, nuk jemi në atë fazë, jemi në një fazë tjetër ku Diaspora nuk është vetëm kujtesë e nostalgji, por një lidhje gjithnjë e më e fortë dhe një partneritet që ka hyrë në rrugën e një zhvillimi.

Sot kemi organe të një trupi krejt të ri, institucionet e diasporës, agjencitë që luajnë rolin e urave apo Samitet që ndihmojnë për të bërë bilance. Nga samiti i fundit dolëm me një strategji, e cila ka në përmbajtjen e vet qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën, ekonominë dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit.

Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës për ata që duan të investojnë në Shqipëri”, tha Rama.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.