
Kryeministri Rama gjatë takimit shqiptarët në Nju-Jork, bëri me dije se qeveria ka nisur të krijojë një Regjistër Kombëtar të Diasporës, që do të shërbejë si dritare për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri.
Rama tha se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe diasporës ka ndryshuar dhe tashmë nuk kufizohet vetëm te nostalgjia, solidariteti apo dërgesat financiare, por është shndërruar në një partneritet më të gjerë.
"Nga Samiti i fundit i Diasporës ne dolëm me një strategji kombëtare të diasporës 2030, e cila ka në përbërjen e vet, në përmbajtjen e vet, qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën e diasporës, ekonominë dhe inovacionin, si dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit. Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës si një dritare për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak apo sadoshumë në Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishmja është se ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, nuk ka ndodhur thjeshtë aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi, ka ndodhur në atë që sot është një marrëdhënie shumë gjithëpërfshirëse, shumë organike", tha Rama. (A2 Televizion)