
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës së zhvilluar gjatë vizitës së tij në Nju Jork, ku disa protestues shqiptarë hodhën vezë në drejtim të tij. Pamjet e incidentit u publikuan në media, ndërsa protestuesit dëgjohen duke thirrur slogane kundër kryeministrit.
Gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island, Rama iu referua incidentit, duke e lidhur atë me marrëdhënien mes Shqipërisë dhe diasporës.
“Pjesë e atij organiciteti ishin edhe vezët që m’u hodhën mua. Madje, një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Shpresoj të ketë kaluar mirë me Policinë e Nju Jorkut”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se gjatë aktivitetit të tij ishte angazhuar edhe një shqiptar që shërben në Policinë e Nju Jorkut.
“Prandaj unë u ndodha komplet në shtëpi, edhe Policia, edhe protestuesit”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, Rama foli për marrëdhëniet me diasporën, duke thënë se lidhja mes Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, nga një raport ku diaspora dërgonte dhe Shqipëria merrte, në një fazë ku synohen investimet dhe rikthimi i shqiptarëve në vend.
Ai deklaroi gjithashtu se ka nisur puna për krijimin e një regjistri kombëtar të diasporës për shqiptarët që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.
Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Protesta ndaj tij u zhvillua gjatë qëndrimit në Nju Jork./Versus.al

