“Paketa e Maleve është për pronarët”, Rama nga Nju Jorku: “Zvërneci sjell 4 miliardë euro”
Kryeministri Edi Rama ka folur për Paketën e Maleve dhe projektet në Zvërnec e Sazan gjatë një takimi me shqiptarët në Staten Island, Nju Jork. Ai tha se Paketa e Maleve është krijuar për pronarët e tokave në zonat malore, duke theksuar se investitorët mund të përfshihen vetëm nëse pronarët dëshirojnë të bashkëpunojnë me ta.
Sipas Ramës, synimi është që zonat malore të kthehen në burime të reja të ardhurash dhe zhvillimi ekonomik. Ai tha se Shqipëria synon të rrisë numrin e turistëve nga rreth 12 milionë në 20 milionë dhe të tërheqë turistë me të ardhura më të larta.
Në këtë kuadër, Rama u ndal edhe te projektet në Zvërnec dhe Sazan, të cilat prej kohësh janë në qendër të diskutimeve publike. Ai deklaroi se investimi i parashikuar mund të sjellë rreth 4 miliardë euro në ekonominë shqiptare, duke e konsideruar një projekt me rëndësi për zhvillimin e turizmit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se zhvillimi i këtyre projekteve duhet të shoqërohet me vlerësimin e ndikimit në mjedis. Për Zvërnecin dhe Sazanin, procedurat mjedisore dhe studimet përkatëse janë pjesë e procesit të zhvillimit të projekteve. Qeveria ka bërë të ditur se për Sazanin kërkohet një vlerësim i thelluar i ndikimit në mjedis, ku do të shqyrtohen efektet mbi biodiversitetin, habitatet dhe ekosistemet.
Rama tha se objektivi është që Shqipëria të tërheqë investime dhe të zhvillojë turizmin, duke marrë në konsideratë edhe mbrojtjen e mjedisit.
Në fund të takimit, kryeministri falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe organizatorët e aktivitetit, duke vijuar me batuta dhe komente për shqiptarët e pranishëm në Nju Jork.

