AKTUALITET /

Qëlloi në gjyq gjyqtarin Astrit Kalaja, Elvis Shkambit i komunikohet akuza e vrasjes. Xhaxhai i tij e mëson të hënën

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë

Shkruar nga Versus

Qëlloi në gjyq gjyqtarin Astrit Kalaja, Elvis Shkambit  i komunikohet

Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar Elvis Shkambit akuzën për “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Shkambit, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”, i është komunikuar edhe akuza për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, për plagosjen e Ragip dhe Ervis Kurtajt.

Ndërkohë, akuzat ndaj xhaxhait të tij, Gjon Shkambit, pritet të komunikohen të hënën. Përmes avokatit, ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për planin e nipit dhe se nuk e dinte se ai do të ndërmerrte një veprim të tillë. Prokuroria dyshon për rolin e tij në ngjarje.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dy personave të tjerë.

Kalaja humbi jetën, ndërsa Ragip dhe Ervis Kurtaj mbetën të plagosur.

Sipas Prokurorisë, të shtënat ndodhën pasi gjyqtari kishte lexuar vendimin në një proces pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj./Versus.al

 

Poll