LIVE Shqipëri-Bjellorusi/ Nis sfida në “Air Albania”, Kombëtarja kërkon triumfin pas pesë humbjeve radhazi Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, New York, ku foli për lidhjen mes Shqipërisë dhe diasporës.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë ndër vite dhe theksoi se marrëdhënia me diasporën tashmë ka kaluar nga dërgesat financiare te një partneritet më i gjerë.
Ai përmendi investimet, ekspertizën dhe rikthimin e shqiptarëve në atdhe, si edhe Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2030. Me tone humori, Rama foli edhe për protestën me vezë ndaj tij pak ditë më parë në New York. Në fund, kryeministri u ndal te prania dhe roli i komunitetit shqiptar në jetën e SHBA-së.
“Shumë faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje! Me thënë të drejtën, kur më thanë mbrëmë që një “big storm” ishte duke ardhur, menduam se do të ishte një pengesë për ju që të mblidheshit këtu, por mesa duket, ju jo vetëm u mblodhët, por ndaluat dhe storm-in të bënte ato që parashikoheshin.
Dhe më vjen shumë mirë që jam këtu në Staten Island, ku thonë se është i vetmi vend në botë, ku mund të gjesh Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Franklin Roosevelt, që janë krah për krah njëri-tjetrit, çka tregon se, pavarësisht se këtu jemi në Amerikë, ky është një territor jo zyrtarisht i pushtuar nga shqiptarët.
Më vjen shumë mirë po ashtu që jemi këtu sot për të ndarë disa gjëra që kanë ndodhur në këto vite, qysh se pikërisht këtu në Staten Island, në vitin 2015, unë isha në një darkë shqiptarësh, i ftuar së bashku me Hashim Thaçin, dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që 1 vit më pas u bë Samiti i parë i Diasporës në Tiranë, ku ishim së bashku me Hashim Thaçin dhe në 10 vjet prej atij samiti besoj se kanë ndodhur plot gjëra pozitive dhe lidhja e Shqipërisë me diasporën dhe e diasporës me Shqipërinë, që deri asaj kohe lidhej vetëm me dërgesat, që të gjithë emigrantët shqiptarë çonin në Shqipëri për të ndihmuar familjet që t’i mbijetonin vështirësive, është kthyer në një lidhje ku shumëçka tjetër ndodh dhe ku janë ngritur ura nëpër të cilat kalojnë interesa, kalojnë investime, kalojnë dhe plot rikthime shqiptarësh në tokën amë, qoftë për të bashkëfinancuar me miq dhe të afërm projekte të ndryshme, por qoftë edhe për të qëndruar në Shqipëri.
Në këto vite ka një fakt të jashtëzakonshëm që i bën një nder të madh diasporës shqiptare dhe që e vendos çdo emigrant shqiptar në një piedestal të posaçëm të historisë sonë. Fakti është se 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat financiare të diasporës dhe 9 në 10 shqiptarë janë shkolluar, kanë ngritur çatinë mbi kokë apo e kanë përmirësuar jetën e tyre falë jush, falë çdo familjari, të afërmi, miku që i është gjendur në ditë të vështira. Dhe ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare të gjithë këtyre viteve.
Siç e thashë, nuk jemi më në atë fazë kur diaspora jepte, Shqipëria merrte dhe marrëdhënia mbaronte aty. Jemi në një fazë tjetër, kur diaspora nuk është vetëm kujtesë, nostalgji, solidaritet, por është edhe një lidhje gjithmonë e më e fortë dhe një partneritet, i cili ka hyrë në rrugën e një zhvillimi dhe ku sot kemi organe të një trupi krejt të ri që kemi ndërtuar, institucionet e diasporës, këshillat koordinues, agjencitë që luajnë rolin e urave dhe nga ana tjetër, samitet të cilat ndihmojnë për të bërë bilance dhe për të marrë përsipër angazhime.
Nga Samiti i fundit i Diasporës ne dolëm me një strategji kombëtare të diasporës 2030, e cila ka në përbërjen e vet, në përmbajtjen e vet, qeverisjen dhe shërbimet, dialogun dhe ekspertizën e diasporës, ekonominë dhe inovacionin, si dhe gjuhën dhe kulturën për më të vegjlit.
Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës si një dritare për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak apo sadoshumë në Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishmja është se ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, nuk ka ndodhur thjeshtë aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi, ka ndodhur në atë që sot është një marrëdhënie shumë gjithëpërfshirëse, shumë organike dhe pjesë e këtij organiciteti ishin dhe vezët që m’u hodhën mua para pak netësh, të cilat treguan se jeta aktive shqiptare dhe jeta me Shqipërinë politike dhe me zhvillimet në Shqipëri, është diçka që tanimë i ka integruar bashkë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët kudo ku ndodhen. Madje një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Mund të kishte ardhur edhe në Tiranë, por preferoi të vinte në New York dhe me këtë rast, shpresoj të ketë kaluar mirë edhe me Policinë e New Yorkut.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, ishte shumë e bukur që në trupën e mbrojtjes që u angazhua pastaj për çdo eventualitet, kryesori ishte një shqiptar që shërben në Policinë e New Yorkut. Kështu që, falë këtij integrimit të madh të shqiptarëve në jetën e këtij vendi dhe falë edhe interesimit të madh të shqiptarëve për jetën e atij vendi, unë u ndodha komplet në shtëpi. Edhe policia, edhe protestuesit, njësoj si në Shqipëri. Super!
Dhe për ta bërë komplet spektakolare këtë pamje integrimi, u mirëprita këtu nga Xhemoja dhe nga organizatorët me një tortë rozë që kishte dy flamingo si një zemër dhe më erdhi jashtëzakonisht mirë për vete, për flamingot, për Xhemon, për të gjithë, sepse jetojmë në një kohë kur Shqipëria tanimë nuk vuan më faktin e tmerrshëm se zogjtë e kafshët e njerëzit vriten dhe askush nuk merret me to, por jeton në një kohë kur shqetësohet për zogjtë, shqetësohet për gjethet, shqetësohet për fluturat, shqetësohet për ujin, shqetësohet për biodiversitetin, njësoj si në çdo vend kur problematikat e mëdha të mbijetesës janë kapërcyer dhe kanë filluar problematikat e mëdha të zhvillimit dhe koha kur Shqipëria mendonte ka edhe më keq, ishte koha kur ne nisëm së bashku këtë rrugëtim dhe falë këtij rrugëtimi, ka ardhur koha kur Shqipëria thotë ka edhe më mirë dhe kjo është sfida jonë e përditshme, sepse është e vërtetë, ka edhe më mirë dhe është plotësisht e vërtetë që ne së bashku mund të bëjmë çdo ditë e më mirë për Shqipërinë, për shqiptarët.
Duke qenë se këtu me mua, pasi pa që më hodhën disa vezë, erdhi me urgjencë kryepolici i Shqipërisë, Pjerin Ndreu dhe duke qenë se Pjerini, si një ndër kryetarët më të suksesshëm të bashkive të Shqipërisë, edhe pse nuk e thotë, jeton me vuajtjen e madhe që pse Lezha nuk është kryeqytet, më tha që bëj kujdes se këtu në sallë ka korçarë, ka mallakastriotë, ka vlonjatë, okej, të gjitha, por këtu në sallë ka lezhjanë dhe ti duhet të thuash diçka për ta. Çfarë të them unë për lezhjanët, përveçse lum si ju që keni Pjerin Ndreun dhe lum si Pjerin Ndreu që ju ka juve”, tha Rama mes të tjerash.
Top Channel