Bota

Fotografoi anijen “Vlora” në vitin 1991, ndahet nga jeta fotoreporteri që dokumentoi eksodin e shqiptarëve drejt Italisë

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare Luca Turi, fotoreporter i njohur nga Bari, i cili për rreth 50 vite dokumentoi me fotografitë e tij ngjarjet kryesore të qytetit dhe të rajonit të Pulias, mes tyre edhe mbërritjen e anijes “Vlora” në portin e Barit më 8 gusht 1991, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord.

Turi, i cili ka punuar edhe si fotograf i agjencisë italiane të lajmeve ANSA, u nda nga jeta pas një karriere të gjatë në gazetari dhe fotografi. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të hënën në kishën San Rocco në Bari.

Kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese, e ka kujtuar Turin si një fotograf të madh dhe një dëshmitar të rëndësishëm të historisë së afërt të Barit dhe Pulias.

 “Me ndarjen nga jeta të Luca Turit, komuniteti ynë humbet një fotograf të madh dhe një dëshmitar autentik të historisë së fundit të Barit dhe Pulias. Luca tregoi gjithmonë një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar dhe përcjellë ngjarjet, duke ia dorëzuar kujtesës kolektive me forcën dhe qartësinë e vështrimit të tij”, tha Leccese.

Kryebashkiaku veçoi veçanërisht fotografitë e mbërritjes së anijes “Vlora” në vitin 1991, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të emigracionit shqiptar drejt Italisë. Anija mbërriti në portin e Barit më 8 gusht 1991, me rreth 20 mijë shqiptarë që kishin udhëtuar drejt Italisë.

“Fotografitë e tij mbeten të skalitura në zemrat e të gjithëve ne. Dëshmi për këtë janë imazhet e paharrueshme të mbërritjes së anijes ‘Vlora’ në vitin 1991, të cilat përjetësuan një tragjedi të madhe njerëzore dhe e bënë Barin një qytet të hapur ndaj Mesdheut”, u shpreh Leccese.

Sipas kryebashkiakut, Turi dokumentoi gjatë gjithë karrierës së tij transformimet, dramat dhe shpresat e territorit, duke punuar me guxim, pavarësi dhe respekt të thellë për të vërtetën.

“Vështrimi i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e identitetit dhe trashëgimisë qytetare të qytetit tonë. Mirupafshim Luca, ti ishe imazhi përtej fjalës, syri i Barit drejt botës dhe kujtesa e një komuniteti që sot të përcjell me mirënjohje”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Barit.