Shqipëria ka mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania” në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, në një sfidë të kontrolluar nga kuqezinjtë, të cilët e zgjidhën takimin me nga një gol në secilën pjesë.

Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi ishin autorët e golave, ndërsa skuadra kuqezi pati edhe disa raste të tjera për të thelluar avantazhin.

Ndeshja nisi me ritëm. Shqipëria provoi që në minutat e para, me Arbër Hoxhën dhe më pas Rey Manajn, ndërsa Bjellorusia iu afrua portës së Etrit Berishës në minutën e 8-të. Portieri kuqezi reagoi mirë dhe ndali tentativën e miqve.

Pas një faze ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme, Shqipëria nisi të fitojë terren. Në minutën e 16-të, Muçi krosoi drejt Seferit, por goditja me kokë e sulmuesit u ndal nga mbrojtja bjelloruse.

Momenti që ndryshoi ndeshjen erdhi në minutën e 32-të. Kontsevoi shkaktoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Gjimshitit dhe pas konfirmimit nga VAR, Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin. Mesfushori nuk gaboi dhe në minutën e 34-t shënoi për 1-0.

Kuqezinjtë vijuan të kërkonin golin e dytë dhe patën një tjetër mundësi të artë me Manajn në minutën e 38-të, por sulmuesi nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë. Në anën tjetër, Barkoëski provoi me kokë, por Berisha kontrolloi pa vështirësi.

Në fundin e pjesës së parë, Shqipëria goditi sërish. Në shtesë një aksion i bukur u finalizua nga Ernest Muçi, i cili shfrytëzoi asistin spektakolar të Hysajt dhe dyfishoi avantazhin. 2-0 për Shqipërinë.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Bjellorusia, ndërsa Shqipëria vazhdoi të ishte skuadra më kërkuese. Në minutën e 56-të, Seferi pati mundësinë për të shënuar edhe golin e tretë, por fali një rast të mirë.

Një minutë më vonë, Bjellorusia iu afrua golit me Pechenin, por tentativa e tij përfundoi jashtë. Shqipëria vazhdoi të krijonte raste, ndërsa në minutën e 64-t Asllani krosoi dhe Manaj goditi shtyllën, duke qenë shumë pranë golit të tretë.

Në minutat në vijim, trajneri kuqezi kreu zëvendësime, me Uzunin që hyri në vend të Seferit dhe më pas Dakun e Mehmetin që zëvendësuan Manajn dhe Muçin.

Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë. Në minutën e 67-të, Muçi provoi brenda zonës, por topi përfundoi jashtë. Pak më vonë, Hoxha tentoi një supergol nga distanca, ndërsa edhe Pilo provoi nga larg, pa gjetur kuadratin.

Në minutën e 77-të ishte radha e Asllanit për të provuar nga distanca. Mesfushori që kishte hapur serinë e golave me penallti kërkoi një tjetër gol spektakolar, por goditja e tij preku rrjetën e jashtme.

Në fund, Shqipëria menaxhoi avantazhin dhe ruajti rezultatin 2-0, duke marrë një fitore të rëndësishme përballë Bjellorusisë.

Asllani nga pika e bardhë dhe Muçi me një finalizim të bukur vulosën suksesin kuqezi në “Air Albania”, ndërsa Shqipëria tregoi efikasitet dhe kontroll në një sfidë ku pati mundësi për të shënuar edhe më shumë.

Kuqezinjtë marrin kryesimin e grupit së bashku me Finlandën, që shkatërroi San Marinon me shifrat 7-0.

Rezultati live:

Shqipëri-Bjellorusi 2-0
Asllani 34′, Muçi 45+1′

Minutë pas minute: 

90+3′ Mbyllet ndeshja, Shqipëria merr fitoren e parë pas 5 ndeshjesh.

77’ Dominim total i kuqezinjve, Muçi, Manaj dhe Hoxha i afrohen golit të tretë. Kërkohet goleadë.

64’ Rey Manaj pranë golit të tretë, goditja e tij me kokë përplaset në shtyllë.

56’ Seferi shërbehet shumë mirë nga Asllani, por sulmuesi bën një gjuajtje shumë të dobët dhe humbet shans të madh.

55’ Pasim nga e djathta në “zemër” të zonës sonë, bjellorusët humbin shans të madh përballë Berishës me një goditje që shkon mbi portë.

54’ Detyra e vetme në këtë pjesë të dytë është menaxhimi dhe shfrytëzimi që mund të lënë bjellorusët mbrapa. Shqipëria vijon të jetë në sulm, por pa aventura.

46’ Nis pjesa e dytë, kuqezinjtë kërkojnë të thellojnë shifrat dhe të vulosin 3 pikët.

45+3′ Mbyllet pjesa e parë.

45+1’ Goool Shqipëria 2-0! Ernest Muçi vjen edhe te kombëtarja dhe tregon klasin e tij me një gjuajtje të zgjuar. (Video)

36’ Rey Manaj arrin të lirohet në një mundësi të artë, por nuk godet si duhet në momentin final.

34’ Gooool Shqipëria 1-0!! Manaj ia lë 11-metërshin Asllanit, që godet dhe tregohet i saktë për 1-0. (Video)

32’ Gjimshiti arrin t’i marrë kohën kundërshtarit dhe fiton një penallti gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndi.

31’ Bjellorusët vënë në vështirësi skuadrën tonë me vrapimet e shumta dhe nuk e lejojnë të dalë rrjedhshëm në sulm. Ende nuk kemi bërë gjuajtje në kuadratin e bjellorusëve.

20’ Ndeshja ul ritmin sa i përket rasteve, gabime, përplasje dhe faulle në mesfushë. Kombëtarja duket e paqartë në rrugën drejt portës kundërshtare.

7’ Kuqezinjtë tregohen “të butë” në mbrojtje dhe lejojnë rivalët të rrezikojnë me një gjuajtje rreth 10 metra distancë. Fatmirësisht pret Berisha, i ndihmuar edhe nga gjuajtja e dobët e miqve.

5’ Kuqezinjtë e nisin menjëherë me presing lart dhe tentojnë nga pozicione të ndryshme. Rasti më për tu shënuar: një goditje dënimi e ekzekutuar nga Manaj ngjitur me trekëndëshin e portës bjelloruse.

1′ Nis ndeshja në “Air Albania”.

Top Channel