Fshati i Vunoit në bregdetin e Himarës merr një status të ri mbrojtjeje. Këshilli i Ministrave ka vendosur ta deklarojë atë pasuri kulturore të paluajtshme me statusin “Qendër Historike”. Vendimi, i miratuar në mbledhjen e qeverisë të datës 25 shtator 2026, parashikon edhe përcaktimin e zonës mbrojtëse, si dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj.

Sipas vendimit, statusi i ri synon të garantojë mbrojtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të Vunoit, një prej fshatrave më të njohur të bregdetit shqiptar, duke vendosur rregulla për administrimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të zonës.

Me vendimin e ri shfuqizohet vendimi nr. 30, datë 20 janar 2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj të zonës së mbrojtur përreth”.

Vendimi ngarkon Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor me publikimin e hartave të qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi.Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë.