Rama me diasporën në New York: Shqipëria nuk ka më nevojë për ndihma! Sazani dhe Zvërneci, projekte të jashtëzakonshme

26 Shtator 2026, 21:53Politika TEMA
Rama me diasporën në New York: Shqipëria nuk ka më

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island të Nju Jorkut, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në fjalën para të pranishmëve, ai u ndal te marrëdhënia me diasporën, investimet në Shqipëri dhe zhvillimi i turizmit, ndërsa komentoi edhe protestat që e shoqëruan gjatë qëndrimit në SHBA.

Rama tha se lidhja mes Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit ka kaluar nga mbështetja përmes dërgesave financiare në një marrëdhënie më të gjerë, që përfshin investime, bashkëpunim dhe rikthime. Duke kujtuar diskutimet që i paraprinë Samitit të parë të Diasporës, ai vlerësoi kontributin e emigrantëve në ekonominë e familjeve shqiptare.

“Pavarësisht se jemi në SHBA, ky është një territor jo i pushtuar zyrtarisht nga shqiptarët. Në vitin 2015 unë isha në një darkë shqiptarësh i ftuar, sëbashku me Hashim Thaçin dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që një vit më pas u bë Samiti i parë i Diasporës në Tiranë. 10 vite prej atij Samiti, besoj se kanë ndodhur plotë gjëra pozitive dhe lidhja e Shqipërisë me Diasporën është kthyer në një lidhje ku janë ngritur ura që kalojnë interesa, investime dhe plotë rikthime shqiptarësh në tokën ëmë. 90 % e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën njëherë nga dërgesat financiare të shqiptarëve të Diasporës. Ky është një nder i madh që do ta mbulojë me lavdi diasporën shqiptare të gjithë këtyre viteve. Por siç e thashë, nuk jemi më në atë fazë, kur diaspora jepte e Shqipëria merrte, por jemi në një tjetër fazë.

Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të Diasporës, për të gjitha ata që duan të investojnë sadopak në Shqipëri. Ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, s’ka ndodhur thjeshtë aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi. Tani jeta është shumë më organike dhe pjesë e atij organiciteti ishin edhe vezët që m’u hodhën mua. Madje, një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Shpresoj të ketë kaluar mirë me Policinë e Nju Jork. Në trupën e mbrojtjes pastaj që u angazhua në çdo event, ishte një shqiptar që shërben në Policinë e Nju Jork. Prandaj unë u ndodha komplet në shtëpi, edhe Policia, edhe protestuesit. Këtu u prita me një tortë rozë, që kishte 2 flamingo si një zemër. Më erdhi mirë. Shqipëria nuk vuan më tani faktin që zogjtë e kafshët vriten dhe askush nuk shqetësohet për to. Shqipëria e sotme nuk është më Shqipëria në nevojë për ndihma. Sot Shqipëria ka hëpur një derë të re, derën e maleve të saj”, tha mes të tjerash Rama.

Në vijim, kryeministri foli për synimin që Shqipëria të tërheqë turistë që shpenzojnë më shumë, duke e orientuar sektorin drejt asaj që e quajti turizëm të vlerës. Në këtë kuadër, ai përmendi projektet e parashikuara në Sazan dhe Zvërnec, të cilat i cilësoi të rëndësishme për ekonominë shqiptare.

Sipas Ramës, projekti në Zvërnec parashikon një investim prej më shumë se katër miliardë eurosh. Ai pranoi se ndërhyrjet janë delikate për ekuilibrin mjedisor dhe tha se qeveria po punon për një studim mbi ndikimin dhe risqet e tyre. Njëkohësisht, kryeministri akuzoi për manipulim dhe përhapje gënjeshtrash një pjesë të zërave kundër projekteve në rrjetet sociale.

“Këtë synim ka projekti i shumëdiskutuar, projekti i famshëm, por edhe fatkeq për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve. Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, një projekt që sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro, në një ekonomi që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit për mjedisin, prandaj ne po punojmë shumë për të pasur një studim për ndikimin dhe risqet në mjedis. Risqet reale dhe jo ato që prodhohen në rrjetet sociale nga sharlatanët e manipulatorët. Shpresoj që kur të vini në Shqipëri, kryepolici të na japë mundësi që të takohemi. Para se të vija këtu, më mori në telefon Dritani nga Mali i Zi, ish-kryeministri dhe miku im i shtrenjtë, i vetmi qytetar i botës në Ballkan, i cili më tha ‘shiko se atje ku po shkon, te ajo dallga shqiptare, ke edhe disa shkumë nga Ulqini. Kështu që shumë faleminderit”, tha mes të tjerash Rama.

Lini një Përgjigje