Rama rikthehet nga Nju Jorku, nesër mesazh shqiptarëve nga Rinasi për situatën në vend
Nesër, pas kthimit nga vizita në Kombet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama pritet t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Nisja e tij nga Aeroporti JFK në Nju Jork ende nuk është konfirmuar, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq. Për këtë arsye, ora e saktë e adresimit të kryeministrit pritet të bëhet e ditur gjatë paradites së nesërme.
Mesazhi i Ramës vjen në një moment kur në opinionin publik ka pasur reagime të shumta lidhur me çështjen e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në arrest shtëpie. Në qendër të diskutimeve kanë qenë edhe përgjimet e saj me Ergys Agasin.
Mbetet për t’u parë nëse kjo çështje do të jetë pjesë e mesazhit të kryeministrit apo nëse ai do të fokusohet në një tjetër zhvillim të situatës në vend.

