Marshimi i protestës së 119-të është shoqëruar me tensione mes qytetarëve dhe policisë në disa pika të Tiranës. Pas kalimit nga ish-Blloku dhe sheshi “Willson”, protestuesit u drejtuan drejt Liqenit, por policia bllokoi rrugën për shkak të masave të sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Bjellorusi në “Air Albania”.
Qytetarët devijuan itinerarin dhe vijuan marshimin në një tjetër drejtim. Por pranë Librit Universitar ata u përballën sërish me një kordon policor që pengonte kalimin. Këtë herë protestuesit nuk u kthyen. Ata çanë kordonin, ndërsa efektivët nuk bënë rezistencë dhe lejuan vijimin e marshimit. Protestuesit u drejtuan më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u rikthyer para Kryeministrisë.