NATIONS LEAGUE – Maran e nis mbarë, Shqipëria fiton 2-0 kundër Bjellorusisë

Shqipëria e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në UEFA Nations League.
Kuqezinjtë kanë triumfuar 2-0 ndaj Bjellorusisë, në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, duke marrë tri pikët e para në Grupin C1.
Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran zhvilloi një ndeshje të disiplinuar dhe arriti të kontrollojë momentet kryesore të takimit. Pas një periudhe të vështirë, me pesë humbje radhazi përpara kësaj sfide, Kombëtarja shqiptare reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kuqezinjtë e kërkuan golin dhe arritën të zhbllokojnë takimin, ndërsa në pjesën e dytë Shqipëria administroi avantazhin dhe goditi sërish për të vulosur fitoren 2-0.
Golat u shënuan nga Kristjan Asllani (11-metërsh) dhe Ernest Muçi.
Ky sukses merr rëndësi të veçantë edhe për trajnerin Rolando Maran, i cili e nis aventurën e tij zyrtare në stolin e Shqipërisë me një fitore.
Me këtë rezultat, Shqipëria merr tri pikë të rëndësishme në startin e Nations League dhe e nis me optimizëm garën në Grupin C1. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ndaj San Marinos më 29 shtator.




