web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rolando Maran i gëzohet fitores së parë: Nuk mund të kishte fillim më të mbarë

26 Shtator 2026, 23:17, Sport CNA

Rolando Maran i gëzohet fitores së parë: Nuk mund të kishte

Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, u shfaq i lumtur për fitoren e parë në stolin kuqezi. Pas suksesit 2-0 ndaj Bjellorusisë, tekniku italian u shpreh se nuk mund të kishte fillim më të mbarë.

Ai deklaroi se është i lumtur për paraqitjen e treguar nga skuadra, ndërsa shtoi se ekipi mund të kishte shënuar më shumë.

“Nuk mund të kishte një fillim më të mbarë. Jam i lumtur për mënyrën si performuan lojtarët. Ia dolën të tregojnë në fushë atë që kemi bërë në stërvitje. Shpresoj t’i kemi bërë të lumtur tifozët në stadium.

Seferi apo Uzuni në të djathtë? Të dy mund ta interpretojnë ndeshjen. Në fillim duhet të ruanim hapësirat dhe futëm Seferin. Kur u hapën hapësirat në pjesën e dytë, ishte momenti për Uzunin. Është për shkak karakteristikash.

E dinim që do të ishte e vështirë. Kemi pasur 20 gjuajtje në portë dhe është statistikë e mirë. Kishim pak vështirësi në fillim për të gjetur hapësira, por me kalimin e kohës ia dolëm të gjejmë veten dhe të tregonim ato që kishim përgatitur.

Lojtari i ndeshjes? Mendoj që duhet vlerësuar shpirti i skuadrës dhe sakrifica për njëri-tjetrin. Këtë mendoj se e bënë mirë lojtarët.

Muçi është një lojtar i rëndësishëm dhe këtë e tregoi. Nuk më pëlqen që të kemi vetëm një lojtar si pikë reference. Dua të jemi si ekip.

Dua t’i bëj komplimente skuadrës, mund të kishim shënuar më shumë. Jam i lumtur për Hysajn për asistin, por edhe për Muçin që shënoi”, deklaroi Maran për Tv Klan.





Lajmet e fundit nga